Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës për pezullimin ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku, transmeton Anadolu.
Në njoftimin e publikuar në uebfaqen e Gjykatës Kushtetuese thuhet se gjykata ka vendosur rrëzimin e kërkesës të kryeministrit të Shqipërisë mbi çështjen në fjalë.
“Në lidhje me objektin e kërkesës, në përfundim të diskutimeve, vlerësimet e gjyqtarëve u ndanë në dy qëndrime dhe Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje. Gjykata Kushtetuese vendos rrëzimin e kërkesës, heqjen e masës së pezullimit të caktuar me vendimin e mbledhjes së gjyqtarëve të datës 12.12.2025. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese
Qeveria e Shqipërisë kishte kërkuar shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) të nëntorit 2025 për masën e pezullimit të ushtrimit të detyrës së Ballukut.
Gjithashtu Qeveria kishte kërkuar edhe zgjidhjen e “mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe GJKKO-së.
Sipas Këshillit të Ministrave të Shqipërisë vendimi i pezullimit është “një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave”.
– Çështja ndaj Ballukut
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi më 19 nëntor 2025 të pezullojë nga detyra zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe gjithashtu ka vendosur ndaj saj edhe masën “ndalim të daljes jashtë shtetit”.
Sipas autoriteteve ajo akuzohet për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Çështja u dërgua nga Qeveria e Shqipërisë në Gjykatën Kushtetuese, e cila kundërshton pezullimin.
Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi pezullimin e vendimit të GJKKO-së.
Më 16 dhjetor, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) konfirmoi se i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të Ballukut e cila është edhe deputete, “për arrestimin/heqjen e lirisë” ndaj saj.








