Mbi 200 civilë dyshohet se u vranë në Etiopi

Më shumë se 200 njerëz, kryesisht nga grupi etnik amhara, dyshohet se janë vrarë në një sulm në rajonin Oromia të Etiopisë, ka raportuar të hënën “Al Jazeera”.

Sipas dëshmitarëve, ky sulm vdekjeprurës është shkaktuar nga Ushtria Çlirimtare e Oromias.

Qeveria rajonale e ka konfirmuar sulmin, por nuk ka dhënë detaje rreth shifrave të viktimave.

“Kam numëruar 230 trupa. Kam frikë se ky është sulmi më vdekjeprurës kundër civilëve që kemi parë ndonjëherë”, ka thënë për AP-në, Abdul-Seid Tahir, banor i qarkut Gimbi. “Po i varrosim në varre masive dhe ende po mbledhim trupa. Njësitë e ushtrisë federale tani kanë mbërritur, por kemi frikë se sulmet mund të vazhdojnë nëse largohen”.

Etiopia po përjeton tensione të përhapura etnike në disa rajone, shumica e tyre për ankesa historike dhe tensione politike.

Sulmi ka ndodhur pasi grindjet etnike kërcënojnë të copëtojnë vendin e dytë më të populluar të Afrikës. /koha