Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad, Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të pezullojë përkohësisht shqyrtimin e kërkesave për azil nga shtetasit sirianë. Sekretarja e Brendshme, Yvette Cooper, deklaroi se situata në Siri po ndryshon me shpejtësi pas zhvillimeve të fundit, duke shtuar se disa sirianë tashmë kanë nisur të kthehen në atdheun e tyre.
Regjimi i Assadit, i cili ka dominuar Sirinë që prej fillimit të luftës civile në vitin 2011, duket se ka pësuar një goditje të rëndë këtë javë. Grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS) dhe fraksione të tjera aleate morën kontrollin e kryeqytetit, Damask, duke i dhënë fund viteve të gjata të konfliktit të armatosur.
Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, e ka përshëndetur këtë moment historik, duke e quajtur “fundin e një regjimi barbar” dhe duke bërë thirrje për rikthimin e paqes dhe stabilitetit në Siri.
Vendimi i Mbretërisë së Bashkuar pason veprime të ngjashme nga vende të tjera evropiane, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Suedinë, të cilat kanë pezulluar përkohësisht shqyrtimin e kërkesave për azil nga sirianët. Austria, ndërkohë, ka njoftuar planet për të filluar deportimin e refugjatëve sirianë në vendlindjen e tyre.
Që nga fillimi i luftës civile, miliona sirianë janë larguar nga vendi i tyre për të kërkuar mbrojtje ndërkombëtare, duke u përballur me një krizë humanitare të paprecedentë. Por rënia e regjimit të Assadit ka ngjallur shpresë për një kapitull të ri për Sirinë dhe për sirianët e shpërngulur.



