Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po shqyrton mundësinë për ta bërë të paligjshme posedimin e pajisjeve për bllokimin e sinjalit, të cilat po përdoren gjithnjë e më shumë nga kriminelët për të kryer vjedhje dhe për të ndërprerë shërbime publike, transmeton Anadolu.
Departamenti për Shkencë, Inovacion dhe Teknologji nisi një konsultim mbi masa më të ashpra për të trajtuar keqpërdorimin e pajisjeve të bllokimit të frekuencave radio, të cilat mund të bllokojnë sinjalet wireless të përdorura në sistemet GPS, rrjetet mobile dhe pajisjet e sigurisë në shtëpi si video-zilet.
Zyrtarët thanë se pajisjet shpesh maskohen si objekte të zakonshme, përfshirë orë digjitale dhe ato përdoren për të anashkaluar sigurinë e automjeteve, për të çaktivizuar alarmet dhe për të lehtësuar vjedhjet në dyqane duke bllokuar etiketat anti-vjedhje. Ato gjithashtu mund të ndërhyjnë në mbulimin e rrjeteve mobile dhe komunikimet e shërbimeve emergjente.
“Po i rrisim përpjekjet për të ndaluar përdorimin e paligjshëm të pajisjeve bllokuese të sinjalit, të cilat po kërcënojnë jo vetëm jetën tonë të përditshme, por edhe shërbimet tona jetike publike në të gjithë vendin”, tha ministrja e Telekomunikacionit, Liz Lloyd.
Qeveria britanike paralajmëroi se ndërprerjet në sistemet e pozicionimit, navigimit dhe kohës në Mbretërinë e Bashkuar mund t’i kushtojnë ekonomisë deri në 7.64 miliardë paundë (10.3 miliardë dollarë) brenda vetëm një jave.
Derisa përdorimi i pajisjeve jo të pajtueshme tashmë është i ndaluar sipas Akti të Telegrafisë Wireless 2006, zbatimi mbetet i vështirë. Zyrtarët tani po shqyrtojnë zgjerimin e kufizimeve edhe për posedimin, me kontribut nga industria dhe publiku që do të ndihmojë në formësimin e legjislacionit të mundshëm.
Konsultimi do të zgjasë katër javë dhe pritet të ndikojë në masat e ardhshme, duke sqaruar gjithashtu përdorimet legjitime të teknologjisë në mjedise si burgjet dhe operacionet ushtarake.


