Mbyllet rruga nga Brezovica në drejtim të Qendrës së Skijimit

Për shkak të reshjeve të dendura të borës është bllokuar rruga nga Brezovica në drejtim të Qendrës së Skijimit.

Për teve1.info, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se nuk ka kushte për skijim, deri në pastrimin e rrugëve nga kompanitë përkatëse.

Veseli tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë rajonale të komunikacionit.

“Ju njoftojmë se për shkak të reshjeve të dendura të borës që ka mbuluar atë zonë, është vështirësuar qarkullimimi i automjeteve dhe në ora 10:15 është mbyllur tërësisht për qarkullim rruga nga Brezovica në drejtim të Qendrës së Skijimit, deri në pastrimin e rrugës nga kompania për pastrimin e rrugëve. Policia e stacionit të Shtërpcës dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit është në Brezovicë dhe po orienton komunikacionin. Nga zyrtarët e Qendrës së Skijimit jemi njoftuar gjithashtu se sot, nuk ka kushte për skijim”, tha Veseli.

Ndërkohë, është bërë e ditur se edhe parkingu është i bllokuar.

“Pas reshjeve të mëdha të borës në Qendrën e Skijimit në Brezovicë është shumë keq. Ka 1 metër borë, vetëm një korsi e rrugës është pastruar, parkingu është i bllokuar”, thuhet në njoftim të “Brezovica info”./