Mbyllja e Qeverisë amerikane shmanget për 45 ditë – VIDEO

Dhoma e Përfaqësuesve ka shmangur mbylljen e qeverisë, duke shtyrë për 45 ditë këtë proces, për të fituar kohë për miratimin e projektligjit të shpenzimeve.

Përballë pakënaqësisë nga republikanët radikalë, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy ka bërë përpjekje që të arrihet marrëveshja për shtyrje të mbylljes për 45 ditë, por në marrëveshjen e fundit nuk është përfshirë ndihma për Ukrainën.

Mbyllja e katër e qeverisë në dhjetë vjetët e fundit, do të ndikonte te fluturimet ajrore e deri te licencat e martesës.

Pjesë të mëdha të Qeverisë amerikane mund të mbyllen përkohësisht nëse Kongresi nuk miraton projektligjin e shpenzimeve për shkak të një mospajtimi midis republikanëve të ekstremit të djathtë dhe ligjvënësve të tjerë. Ky proces është shtyrë deri në mes-nëntor.

Kongresi duhet të ndajë fonde për 438 agjenci qeveritare çdo vit fiskal, i cili përfundon më 30 shtator. Nëse ligjvënësit nuk i miratojnë këto fonde para se të nisë viti i ri fiskal, këto agjenci nuk do të jenë në gjendje të vazhdojnë të funksionojnë normalisht.

Që nga vitet ‘70 kanë ndodhur 20 mbyllje të Qeverisë, sipas të dhënave të Shërbimit të Kërkimeve të Kongresit. Mbyllja e fundit ishte edhe më e gjata, që zgjati për 35 ditë nga dhjetori i vitit 2018 deri në janar të vitit 2019, pas një mosmarrëveshjeje për sigurinë kufitare.

Ligjvënësit shpesh e kanë shtyrë përkohësisht këtë afat duke zgjatur nivelet e financimit të agjencive përmes një rezolute që mundëson vazhdimin e negociatave.

Në rast të një mbylljeje, qindra mijëra punonjës federalë do të dërgoheshin në pushim pa pagesë dhe një gamë shërbimesh do të ndërpritej: prej aplikimit për pasaportë e deri te mbledhja e mbeturinave në parqet kombëtare.

Projektligji i shpenzimeve duhet votohet nga të dy partitë, me qëllim që të kalojë dy dhomat e deri në zyrën e presidentit Biden.

Të shtunën në mëngjes, McCarthy ka thënë se do të vendoste për shtyrjen prej 45 ditëve – mundësi që do t’i mbante të hapura agjencitë federale derisa Kongresi të pajtohet për ligjin e ri të shpenzimeve.

Në këtë rezolutë do të përfshiheshin fondet e lehtësimit ndaj katastrofave, por nuk do të përfshinte ndihmën amerikane për Ukrainën, pikë për të cilën kanë insistuar demokratët.

Një grup i republikanëve radikalë ka kërkuar ndërprerje të shpenzimeve, përfshirë kërkesën e tyre që të ndalen fondet për luftën në Ukrainë.

Duke marrë mbështetje të madhe nga ish-presidenti Donald Trump, linjat e ashpra kanë kundërshtuar përpjekjet e McCarthyt për të përcjellë legjislacionin e nevojshëm për të thyer ngërçin përmes Dhomës së Përfaqësuesve.

Teksa kryetari mund t’u drejtohet demokratëve për votat që do t’i nevojiteshin për të miratuar projektligjin e shpenzimeve, kjo do të nxisë përpjekje nga fraksioni rebel për ta larguar atë nga posti i kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Chuck Schumer, udhëheqësi i shumicës në Senat, kritikoi McCarthyn për paraqitjen e propozimi “vërtet radikal” që nuk mund të kalonte në të dy dhomat. /koha