Me paradë në sheshin qendror të Banja-Llukës, autoritetet e entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës shënuan 9 janarin si Ditën e Republikës Sërpska (RS), festë që Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës e ka shpallur jokushtetuese, raporton Anadolu.
Midis më shumë se 2.600 pjesëmarrësve ishin anëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të RS-së dhe përfaqësues të sektorit civil.
Midis pjesëmarrësve ishin edhe përfaqësues të Klubit të Motoçiklistëve “Ujqërit e Natës”. Ata janë shpallur zyrtarisht si “një nga klubet më të fuqishme të motoçiklistëve në botë”, në radhët e të cilit përfshihen “luftëtarë nga Ushtria e Republikës Serbe” ndërsa “klubit i jepet peshë e veçantë nga fakti që presidenti rus Vladimir Putin është anëtar”.
Në paradë morën pjesë edhe automjete të blinduara fushore “Despot” dhe automjete të lehta taktike “Vihor”, ndërsa tre helikopterë “ANSAT” nga Administrata e Aviacionit të RS-së fluturuan sipër.
Ndër zyrtarët që morën pjesë në paradë ishin Ana Trishiq Babiq, presidente në detyrë e RS-së, Zheljka Cvijanoviq, anëtare e Presidencës së BeH-së, Savo Miniq, kryeministër i RS-së, Nenad Stevandiq, zëvendëspresident i Asamblesë Kombëtare të RS-së, Milorad Dodik, president i partisë SNSD-së, Nikolla Selakoviq, ministër në Qeverinë e Serbisë dhe të tjerë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dërgoi mesazh urimi me rastin e Ditës së RS-së, duke theksuar se “RS-ja u krijua për paqe dhe përfaqëson një nga shtyllat e ruajtjes së stabilitetit në rajon”. Ai theksoi se Serbia do të qëndrojë gjithmonë pranë Republikës Sërpska dhe popullit të saj.
– Paralajmërim nga OHR
Përpara festimit, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në BeH paralajmëroi të enjten se festimi i 9 janarit si Dita e Republikës Sërpska përfaqëson mosrespektim të vendimeve përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, duke theksuar se një sjellje e tillë mund të ketë edhe pasoja penale.
OHR-ja kujtoi qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese të BeH-së se caktimi i 9 janarit si Dita e RS-së nuk simbolizon kujtesën kolektive dhe të përbashkët në një shoqëri multietnike dhe se një praktikë e tillë është diskriminuese.
OHR-ja deklaroi se festimi i kësaj date përfaqëson një dështim të qartë për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se mosrespektimi i këtyre vendimeve mund të përbëjë vepër penale në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të BeH-së.
Ndryshe, autoritetet në entitetin RS e shënojnë 9 janarin si datën e themelimit të Republikës Sërpska dhe ditën e pagëzimit të këtij entiteti.
Në prag të luftës dhe agresionit kundër Bosnjë e Hercegovinës, Kuvendi Popullor Serb në BeH miratoi një Deklaratë mbi Shpalljen e Republikës së Popullit Serb të BeH-së si një entitet i pavarur brenda Bosnjë e Hercegovinës, më 9 Janar 1992 në Sarajevë. Përfaqësuesit e boshnjakëve dhe kroatëve nuk morën pjesë në miratimin e deklaratës.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Bosnjë e Hercegovinës e anuloi deklaratën në vitin 1992. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese e BeH-së, në dy raste – në vitet 2015 dhe 2019 e shpalli jokushtetues shënimin e 9 janarit si Dita e RS-së. “Gjykata Kushtetuese e BeH-së nuk e ka kontestuar të drejtën e Republikës Sërpska për të festuar Ditën e Republikës, por ajo nuk mund të jetë 9 janari”, duke konkluduar se kjo datë “nuk është e pranueshme për të gjithë qytetarët”.

