Mediat u ngutën, Erdogan iu referua Kosovës në Serbi

Presidenti i Turqisë, Erdoan tha gjatë ditës së parë të vizitës në Beograd se do të vazhdojë thellimi i bashkëpunimit me Serbinë pavarësisht pakënaqësive. Këtë qëndrim e mbështeti edhe presidenti serb Vuçiç.

12 marrëveshje janë firmosur mes delegacionit të Turqisë dhe Serbisë, në ditën e parë të vizitës së presidentit Rexhep Tajip Erdoan në Beograd. Në një konferencë të përbashkët me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç, kreu i shtetit turk theksoi se do të vazhdojë thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Rexhep Tajip Erdogan, President i Turqisë tha se “do të ketë nga ata që nuk do ta vlerësojnë për të mirë afrimin e Turqisë dhe Serbisë, por ne do të vazhdojmë me bashkëpunimin.

“Ne po marrim hapa të përbashkët për të zgjidhur disa probleme në të gjitha pjesët e Ballkanit. Për shembull rrugën nga Beogradi deri në Sarajevë duhet sa më shpejtë ta ndërtojmë. Pse? Sepse rrugët janë civilizim”.

Pakënaqësitë i referohen pikërisht Kosovës, pasi vetëm Kosova nuk i sheh si zhvillim pozitiv kontaktet mes Turqisë dhe Serbisë. Megjithatë, Erdogan dhe Vuçiç nuk kanë folur në mënyrë specifike për raportet mes Beogradit dhe Prishtinës, të gjithë e pranojnë se Turqia mund të jetë udhë lidhëse e paqes mes dy vendeve.