Megjithatë s’ka normalitet, edhe sot kufizime të rrymës

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se edhe sot (e martë) do të ketë kufizim të energjisë elektrike, megjithëse Ministria e Ekonomisë të hënën njoftoi se është kthyer normaliteti dhe se do të ketë furnizim të rregullt.

Ai në emisionin “Sot” në KTV, ka thënë se të martën kufizimet kanë filluar nga ora 9:00.

“Reduktimet kanë filluar nga e hëna dhe kanë qenë minimale, edhe sot nga ora 9 kanë filluar kufizimet e energjisë elektrike”, ka thënë ai të martën.

Buzhala ka thënë se arsye për reduktime është meqë furnizimi është duke u bazuar nga prodhimi vendor dhe se nuk ka para që të blihet energji në tregjet ndërkombëtare.

“Që 1 vit e më shumë e kemi bartur krizën në supet tona. Aktualisht kufizimet parashihen të jenë 2 orë pa energji elektrike dhe 6 me energji. Alternativa e kursimit të energjisë duhet të aplikohet. Gjithashtu duhet që çmimi të reflektojë koston dhe të ketë infuzion financiar për sistemin elektroenergjetik. Dihet se ishin planifikuar të jepen 90 milionë euro, porse ato para nuk janë dhënë asnjëherë dhe kjo e ka zhytur në kolaps sistemin elektroenergjetik”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se secila krizë tejkalohet kur bëhen bashkë të gjitha institucionet dhe mekanizmat, përfshirë edhe popullin.

Buzhala ka thënë se kjo krizë është e importuar dhe nuk është e shkaktuar nga brenda. Shton se me ftohjen e motit kërkesa për energji do të rritet dhe se vendet si Kosova do ta kenë jashtëzakonisht të vështirë situatën.

“Nuk duhet të llogaritet që do të ketë furnizim të sigurt në asnjë mënyrë. Qytetarët nuk duhet ta llogaritin ngrohjen me energji elektrike. Do të jetë dimër i rëndë për të gjithë Evropën. Situata me reduktimet do të zgjasë deri në ndryshimin e parametrave. Çmimet për megavat kanë shkuar shumë lartë. Nuk ka pasur një gjendje të tillë më herët”, ka thënë ai.