Meloni: Ka nevojë për një Evropë më të guximshme

Liderja e Partisë së ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë” (Fdl), Giorgia Meloni e cila fitoi në zgjedhjet e 25 shtatorit në Itali dhe që pritet të jetë kryeministrja e mundshme, tha se kanë nevojë për një Evropë më të guximshme përballë vështirësive të mëdha, transmeton Anadolu Agency (AA).

Meloni i cila dërgoi një video-mesazh në aktivitetin e Partisë së ekstremit të djathtë Vox në Spanjë tha: “Kam vendosur të mos largohem nga Roma. Fitorja e zgjedhjeve na dha një entuziazëm të madh, por në të njëjtën kohë na ka ngarkuar edhe një përgjegjësi të madhe. Kemi mundësinë që brenda disa ditëve të formojmë qeverinë”.

Ajo tha se nuk kanë kohë për të humbur për t‘iu përgjigjur vështirësive me të cilat përballen italianët.

Kriza energjetike, kryesisht faturat e larta janë bërë të papërballueshme për familjet dhe bizneset, deklaroi Giorgia Meloni e cila shtoi se “Kjo është një gjë e cila duhet të përfundojë menjëherë”.

“Përballë vështirësive të mëdha kemi nevojë për një Evropë më të guximshme dhe më modeste ku do të funksionojnë mirë politikat kombëtare në trajtimin e problemeve tona lokale”, tha Meloni duke shtuar se presin solidaritet nga Evropa dhe se shpresojnë që ta shohin këtë.

Lidhur me situatën në luftën Ukrainë-Rusi, Meloni theksoi se “Situata në Ukrainë është serioze pas agresivitetit rus dhe përpjekjes së papranueshme të (presidentit rus Vladimir) Putinit për të aneksuar territore të reja për Rusinë”.

“Ne nuk jemi përbindësha, njerëzit këtë e kuptojnë. Rroftë Evropa e patriotëve”, përfundoi fjalën e saj Meloni.

Meloni dhe partia e saj që dolën fitues në zgjedhjet e 25 shtatorit në Itali, pritet të formojnë qeveri të koalicionit të djathtë me Partitë Lega dhe Forza Italia, me të cilat veprojnë së bashku në një aleancë të djathtë.

Pas zgjedhjeve brenda kësaj jave në Parlament do të mbahen seancat e para me anëtarët e rinj. Në seancat e para që do mbahen më 13 tetor në Senat, Dhomën e lartë të Parlamentit dhe në Dhomën e Ulët, Dhomën e Përfaqësuesve do të zhvillohen zgjedhjet e krerëve për të dyja dhomat.

Pas përcaktimit të krerëve parlamentarë, pritet që presidenti Sergio Mattarella të fillojë zyrtarisht punimet për formimin e qeverisë. /aa