Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Merkel me gjasë do të tërhiqet në vitin 2019

Merkel me gjasë do të tërhiqet në vitin 2019

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, me gjasë do të dorëhiqet vitin e ardhshëm, për t’i hapur rrugën një qeverie të re koalicioni, deklaroi të mërkurën ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, raporton Anadolu Agency (AA).

“Vendimi i Angela Merkel për të hequr dorë nga kreu i CDU-së, sipas të gjitha gjasave është hapi i parë”, tha Gabriel, në një opinion të tij të botuar në javoren Die Zeit.

Politikani socialdemokrat, i cili mbajti postin e ministrit të Jashtëm në qeverinë e mëparshme të koalicionit të udhëhequr nga kancelarja Merkel, tha se tashmë po pret hapat e radhës.

“Ajo dëshiron të hapë rrugë për një koalicion të ri “Xhamajka” midis CDU/CSU-së, FDP-së liberale dhe të Gjelbërve, duke hequr dorë nga posti i kancelares.

Gabrieli parashikoi se Merkel do të dorëhiqet më së largu pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në maj të vitit 2019.

Kancelarja gjermane dhe kryetare e Unionit Kristiandemokratik (CDU), Angela Merkel, njoftoi të hënën se nuk do të kandidojë për postin e kryetares së partisë në kongresin që do të mbahet në muajin dhjetor e as në zgjedhjet e vitit 2021 për kancelare të Gjermanisë.