Merkel nuk bind liderët e Ballkanit, s’ka marrëveshje për diplomat dhe lëvizjen e lirë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk arriti as në takimin e saj të fundit në kuadër të Procesit të Berlinit të mbyllë një marrëveshje të rëndësishme mes liderëve të Ballkanit sa i përket lëvizjes me karta identiteti dhe njohjes së diplomave.

Edhe pse u angazhua personalisht, duke i paraprirë këtij takimi me komunikime individuale me liderët e Ballkanit, sërish ata nuk u dakordësuan për dy çështjet kryesore të Planveprimit për Krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, të miratuar në nëntor të vitit të kaluar në Sofje.

Në një konferencë për mediat në përfundim të Samitit të Ballkanit Perëndimor Merkel bëri të ditur se nuk u arrit “njohje reciproke e diplomave dhe lëvizje e lirë me karta identiteti në rajon”, por pa dhënë detaje se cilat ishin arsyet apo liderët që nuk u dakordësuan me këtë marrëveshje. Angela Merkel shpreson që kjo të arrihet në samitin e tetë të Procesit të Berlinit më 6 tetor të këtij viti, në kuadër të Presidencës Sllovene të BE. I keqardhur për këtë u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas të cilit përballja me të kaluarën është rruga drejt pajtimit.

“Është për keqardhje që nuk pati përparim në marrëveshjet e negociuara me lehtësimin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Disa palë ende po përdorin një gjuhë që nuk është në përputhje me realitetin dhe as me frymën e Procesit të Berlinit. Kosova është plotësisht e përkushtuar për bashkëpunim rajonal dhe më shumë integrim ekonomik, bazuar në njohjen e realitetit dhe të vërtetës, të drejtave të ekuilibruara të pakicave në të gjithë rajonin, përballjes me të kaluarën drejt pajtimit dhe me qytetarët si përfituesit përfundimtarë të dialogut”, tha kryeministri Albin Kurti.

Shtatë vjet pas nisjes së Procesit të Berlinit, e vetmja arritje është heqja e tarifave ‘roaming’ dhe korridoret e gjelbra të transportit.

Procesi i Berlinit ishte nismë e kancelares Angela Merkel, e krijuar në vitin 2014, për të mbajtur Ballkanin Perëndimor afër BE-së, për sa kohë që BE-ja nuk ishte ende e gatshme për të pranuar vende të reja në gjirin e saj.

Kancelarja Merkel ishte ndër udhëheqëset që e mbështeti më fort procesin e zgjerimit, edhe pse pati shumë pak progres. Sot procesi vazhdon të jetë i bllokuar dhe hapat përpara të vendeve të Ballkanit në këtë proces gjatë këtyre 7 viteve janë thuajse të papërfillshëm.

Bllokimi i Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, pasi u zgjidh bllokada shumëvjeçare me Greqinë, tregon se BE-ja ka nevojë për një ndryshim, tha Merkel.

Përtej vullnetit, dhe qasjes pozitive të kancelares Merkel ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, trashëgimia e saj në procesin e zgjerimit ashtu dhe në atë të Berlinit nuk shënon ndonjë arritje domethënëse.