Merret vendimi: Qeveria lehtëson masat anti-COVID

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka marrë vendim për masat e reja anti-Covid, të cilat hyjnë në fuqi sot.

Ministria e Shëndetësisë thekson se gjendja epidemiologjike me COVID-19, në Kosovë sipas të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike është qëndrueshme.

Bazuar në të dhënat e analizuara mbi situatën epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKShPK– së, Qeveria e Republikës së Kosovës merr vendim për vazhdimin e lehtësimit gradual të masave që mundësojnë një aktivitet të shtuar ekonomik por njëkohësisht që synojnë kontrollimin e përhapjes së infeksionit.

Në kuadër të saj, hyjnë edhe masat përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Nga sot lejohet mbajtja e dasmave, fejesave, ahengjeve familjare e mbrëmjeve të maturës deri në orën 01:00.

Organizimi i tyre duhet të bëhet vetëm me kushtin që të shfrytëzohet vetëm 50 për qind e kapacitetit, e jo me më shumë se 300 persona.

Klubeve të natës do t’u lejohet muzika deri në orën 01:00. Atyre u lejohet lirimi i hapësirës deri në orën 01:45.

Ndërkaq shërbimeve të gastronomisë do t’u lejohet puna deri në orën 23 në ditët e punës, përveç të premtes e së shtunës kur lejohet deri në orën 00:00.

Sa i përket sportit, nëpër stadiume e hapësira të jashtme lejohet prania e shikuesve deri në 30 për qind të kapacitetit.

Në arsyetimin e Qeverisë theksohet se këto masa lehtësohen për shkak se situata me pandeminë e COVID-19, sipas raportit të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, është e qëndrueshme, me vazhdim të uljes së numrit të rasteve pozitive.