Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Mesazhet e forta të Erdoganit për Fiter Bajram

Mesazhet e forta të Erdoganit për Fiter Bajram

Përbetimi: “Izraeli do ta paguajë shtrenjtë çmimin për masakrat në Lindjen e Mesme”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka lëshuar deklarata të forta kundër Izraelit gjatë fjalës së tij pas faljes së namazit të Fitër Bajramit në vendlindjen e tij, në rrethin Güneysu të Rizës.

Pasi kreu faljen e Bajramit në xhaminë qendrore të Güneysu-së, i rrethuar nga qytetarë të shumtë, Erdoğan u ndal te situata e rëndë në Lindjen e Mesme.

“Lindja e Mesme aktualisht po ‘vlon’. Ky Izrael sionist, siç e dini, ka masakruar qindra dhe mijëra njerëz. Nuk kam asnjë dyshim se ata do ta paguajnë shtrenjtë çmimin për këtë,” u shpreh Presidenti turk para besimtarëve.

Në lutjen e tij, Erdoğan përdori tone të ashpra fetare duke kërkuar ndërhyrjen hyjnore: “Ushqej shpresën që Zoti të na mbrojë nga fatkeqësia e sionistëve sa më parë. Allahu, me emrin e Tij të lavdishëm ‘Al-Kahhar’, e shkatërroftë plotësisht Izraelin.”

Presidenti Erdoğan vuri theksin te rëndësia e qëndrimit unik të muslimanëve, duke thënë se uniteti nuk arrihet me “fjalë boshe”, por me përpjekje dhe adhurim të sinqertë. Ai u bëri thirrje besimtarëve që të mos bëjnë kompromis me vëllazërinë mes tyre, duke e cilësuar këtë si rrugën e vetme për të përballuar sfidat e botës islame.

Pas ceremonisë fetare, Presidenti kaloi kohë me bashkëqytetarët e tij. Ai u shpërndau lodra dhe dhurata fëmijëve që e pritnin jashtë xhamisë, si dhe u ofroi qytetarëve simite tradicionale turke.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe figura të larta shtetërore, si Ministri i Rinisë dhe Sporteve, Osman Aşkın Bak, Drejtori i Komunikimit, Burhanettin Duran, si dhe djali i Presidentit, Bilal Erdoğan.

Erdoğan e mbylli fjalën e tij me një urim për paqe: “Lutem që ky Bajram të shërbejë si mjet shpëtimi dhe ringjalljeje për mbarë botën islame, dhe si një mjet për unitet e vëllazëri në vendin tonë.” /tesheshi