Ballina Sport Futboll Ministri i Sportit: Irani nuk do të marrë pjesë në Kupën e...

Ministri i Sportit: Irani nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës FIFA 2026 që bashkë-organizohet nga SHBA-ja

Ahmad Donyamali

Ministri iranian i Sportit, Ahmad Donyamali, ka deklaruar se Irani nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës FIFA 2026 pasi bashkë-organizatori SHBA-ja kreu sulme ajrore ndaj vendit që vranë liderin suprem, Ayatollah Ali Khamenei, transmeton Anadolu.

“Duke marrë parasysh se ky regjim i korruptuar ka ardhur dhe ka vrarë liderin tonë, ne nuk jemi në pozitë për të marrë pjesë në Kupën e Botës”, tha Donyamali për televizionin shtetëror.

“Një vend armiqësor po e organizon Kupën e Botës dhe ne presim që FIFA të reagojë për këtë çështje”, shtoi ai, duke argumentuar se anëtarët e ekipit kombëtar iranian “nuk janë të sigurt”.

Kupa e Botës do të organizohet bashkërisht nga SHBA-ja, Kanadaja dhe Meksika në qershor dhe korrik 2026.

Më herët gjatë ditës, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, shkroi në rrjetet sociale se u takua të martën me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, i cili tha se ekipi kombëtar i Iranit është i mirëpritur të marrë pjesë në turne.

SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme të përbashkëta kundër Iranit më 28 shkurt, të cilat kanë vrarë më shumë se 1.300 persona, përfshirë Khamenein dhe mbi 150 nxënëse.

Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa, duke shënjestruar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, duke shkaktuar gjithashtu tronditje në tregjet globale dhe në udhëtimet ajrore.