Ministri sirian: SDF-ja po bën një “gabim të madh”, federalizmi dhe decentralizimi politik janë jashtë diskutimit

Ministri sirian i Informacionit, Hamza Mustafa, ka deklaruar se marrëveshja e 10 marsit me Forcat Demokratike Siriane (SDF) përfaqëson një mundësi historike për unitetin dhe sovranitetin e Sirisë, por ka theksuar se grupi nuk i përmbush angazhimet e tij.

Në një intervistë për Anadolu në përvjetorin e parë të rënies së regjimit të Assadit, Mustafa tha se SDF-ja, e cila dominohet nga grupi terrorist YPG, dega siriane e organizatës terroriste PKK, ka bërë “një gabim të madh përmes qasjeve irracionale”.

Ai tha se komandanti i SDF-së, Mazloum Abdi, e ka keqinterpretuar situatën dhe “ka humbur mundësitë historike”, duke theksuar më tej se çështja e federalizmit dhe decentralizimit politik është plotësisht jashtë diskutimit.

“Nuk ka alternativë ndaj marrëveshjes së 10 marsit me SDF-në”, theksoi ministri sirian.

Marrëveshja u nënshkrua nga presidenti sirian, Ahmad al-Sharaa dhe Abdi, me qëllim integrimin e institucioneve civile dhe ushtarake në verilindje nën administrimin shtetëror. Marrëveshja mbulon pikat kufitare, aeroportet dhe fushat e naftës dhe gazit, si dhe pohon unitetin e territorit sirian.

Mustafa tha se Abdi ra dakord për marrëveshjen, por SDF-ja dështoi të përmbushë angazhimet e saj dhe synon të zvarritë dhe të fitojë kohë.

Ai e përshkroi marrëveshjen si një “zgjidhje integrimi” që iu paraqit komandantit të SDF-së si një rrugëdalje, duke marrë parasysh se kishte dy skenarë të tjerë të mundshëm, përkatësisht një prani ushtarake afatgjatë amerikane në Siri të cilën ai e quajti të pamundur ose një tërheqje “në një skenar të stilit të Afganistanit”.

“Shteti ofroi një mundësi të mesme përmes marrëveshjes së integrimit të 10 marsit, të cilën Abdi e pranoi, por nuk e ka zbatuar”, shtoi ai.

Ministri sirian tha se Damasku i tha komandantit të SDF-së se nëse dëshiron ta braktisë marrëveshjen, ai duhet të deklarojë qartë nëse nuk mund ta zbatojë atë ose nuk dëshiron.

“Sjellja e SDF-së pasqyron një përpjekje për të vonuar teksa pret ndryshime, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit në Suwayda”, tha ai, duke akuzuar komandantin e SDF-së se përdor “gjuhë orientaliste” kur flet për komunitetet druze dhe alavite.

Në korrik, Suwayda pati përleshje të armatosura midis grupeve Druze dhe fiseve beduine që vranë qindra njerëz. Damasku këmbëngul se garanton të drejta dhe liri të barabarta për të gjitha komunitetet siriane.

Në muajin korrik, Suwayda dëshmoi përleshje të armatosura midis grupeve druze dhe fiseve beduine që vranë qindra njerëz. Damasku këmbëngul se garanton të drejta dhe liri të barabarta për të gjitha komunitetet siriane.

Ministri i informacionit tha se Abdi vizitoi Erbilin në rajonin kurd të Irakut në muajin tetor në vend që të vinte në Damask për të finalizuar marrëveshjen, duke argumentuar se ai “nuk e lexon qartë politikën”.

Abdi “po përpiqet të luajë lojën e tij të fundit”, tha Mustafa, duke përsëritur se “nuk ka alternativë ndaj marrëveshjes së 10 marsit”.

Ai theksoi se nuk ka klauzola sekrete në marrëveshje dhe se integrimi në institucionet politike dhe ushtarake do të jetë në baza individuale, jo si blloqe.

Ministri sirian tha se Washingtoni e sheh shtetin sirian si aktorin më të mirë në pozicionin për t’u përballur me grupin terrorist DEASH dhe një shtyllë kyçe të stabilitetit rajonal.

“Damasku nuk do t’i shtyjë të gjitha dosjet rajonale dhe ndërkombëtare për hir të SDF-së”, theksoi ai.

“Izraeli duhet të tërhiqet nga të gjitha zonat e pushtuara pas 8 dhjetorit”

Pas rënies së regjimit të Assadit, Izraeli zgjeroi pushtimin e tij në Lartësitë e Golanit të Sirisë duke marrë nën kontroll zonën tampon të çmilitarizuar, një veprim që shkelte Marrëveshjen e Shkëputjes të vitit 1974 me Sirinë.

Mustafa paralajmëroi se qeveria e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, po përpiqet të tërheq vendet në konfrontime dhe të krijojë fakte të reja në terren për t’i shpëtuar problemeve të brendshme politike.

“Izraeli shpesh llogarit gabim”, tha ai, duke shtuar se “qëndrimi i Sirisë mbetet i palëkundur se Izraeli duhet të tërhiqet nga të gjitha zonat që i ka pushtuar pas 8 dhjetorit 2024”.

Ai tha se edhe SHBA-ja e pranon pozicionin e Damaskut dhe është “përpjekur t’i bëjë presion Netanyahut për këtë çështje, por kryeministri izraelit gjithmonë përpiqet të ndjekë një politikë të ikjes përpara”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, këtë javë i bëri thirrje Izraelit të ruajë një “dialog të fortë dhe të sinqertë” me Sirinë, duke theksuar se është shumë e rëndësishme që “asgjë të mos ndodhë që mund të pengojë shndërrimin e Sirisë në një shtet të begatë”.

Megjithatë, Netanyahu një ditë më vonë rinovoi thirrjen për të kthyer Damaskun jugor në “zonë të çmilitarizuar,” gjë që Siria e kundërshton fuqishëm.

Sa i përket përpjekjeve për një marrëveshje të re sigurie me Izraelin, ministri Mustafa tha se Damasku nuk do të pranojë asnjë rregullim “më pak se sa thelbi dhe përmbajtja e Marrëveshjes së Shkëputjes të vitit 1974”.

“‘Siria e re,’” shtoi ai, kërkon të investojë në zhvillim dhe rimëkëmbje të brendshme në vend se të hyjë në luftëra rajonale.

“Siria nuk dëshiron të jetë kërcënim për rajonin në asnjë formë”, tha ai, duke theksuar se vendi është i rraskapitur nga lufta dhe dëshiron të rindërtojë kapacitetet e tij të brendshme.

Ministri i informimit tha se Damasku gjithashtu hedh poshtë pretendimet izraelite se synon të “mbrojë druzët” në Sirinë jugore, duke akuzuar Izraelin se po përdor komunitetin druzë si pretekst për të ndërhyrë në punët e brendshme të Sirisë dhe për të vazhduar okupimin e saj.

Izraeli pushton tokë palestineze dhe territore në Siri dhe Liban, si dhe refuzon të tërhiqet ose të lejojë krijimin e një shteti të pavarur palestinez në kufijtë para vitit 1967.

Siria nuk është më një “mbretëri frike”

Ministri i Informimit të Sirisë tha se vendi ka ndryshuar nga një “mbretëri frike”, ku gazetarët arrestoheshin dhe vriteshin, në “një vend ku askush nuk ndodhet në burg për një mendim apo për një postim në rrjetet sociale”.

“Nuk ka gazetarë të arrestuar në Siri sot, përveç një rasti që ende po hetohet”, shtoi ai.

Ministri sirian tha se më shumë se 700 gazetarë janë vrarë gjatë kryengritjes kundër regjimit të Assadit midis viteve 2011 dhe 2024.

Ai theksoi se më shumë se 500 media tani operojnë në Siri dhe se ministria ka marrë rreth 3 mijë aplikime për karta shtypi.

“Autoritetet po i përpunojnë kërkesat dhe po lëshojnë kartat”, tha ai, duke shtuar se vendi ka pritur gjithashtu qindra delegacione të huaja që nga fillimi i vitit 2025.

Mustafa tha se Ministria e Informimit është transformuar nga një “ministri censure” në një ministri të prodhimit të përmbajtjes mediatike.

“Ministria tani përpiqet të punojë me të gjitha ekipet e saj për të qenë efektive dhe për të luajtur një rol udhëheqës në krijimin e përmbajtjes”, shtoi ai.

Ai tha se qeveria siriane synon të zhvillojë gazetarinë dhe ka rindërtuar Agjencinë Shtetërore Siriane të Lajmeve (SANA) mbi baza të reja, e cila u ri-lançua në muajin qershor.

Autoritetet gjithashtu ri-lançuan gazetën Al-Thawra, shtoi ai, “si një platformë që kombinon botimin e printuar dhe një faqe interneti”.

Sipas ministrit, qeveria planifikon gjithashtu të ri-lançojë Radio Damaska si transmetues kombëtar, si dhe të ringjallë Organizatën Arabe të Reklamave.

“Ministria e ka ri-formuluar funksionin e atij institucioni në mënyrë që të operojë si një agjenci reklamash që gjeneron fitim dhe ndihmon në ri-formësimin e industrisë së reklamave”, tha ai.

Mustafa tha se Organizata Arabe e Reklamave po përgatit një plan r-=strukturimi, në bashkëpunim me sektorin privat, i cili do të shpallet së shpejti.

Siria synon të bëhet “qendër e industrisë mediatike”

Më tej, Mustafa tha se ministria që udhëheq ai dëshiron gjithashtu të “lokalizojë” prodhimin e dramave brenda Sirisë. Ai theksoi se vendi tashmë ka arritur të tërheq më shumë se 25 seriale televizive që pritet të xhirohen në Siri, një shifër që, sipas tij, është më e lartë se ajo e vitit 2010.

“Qëllimi ynë është ta bëjmë Sirinë një qendër të industrisë mediatike”, tha ai, duke shtuar se shteti tashmë ka zbatuar dy projekte të mëdha strategjike të orientuara drejt këtij synimi.

Mustafa tha se Ministria e Informimit nuk kërkon një rol ndërhyrës, por synon të “menaxhojë skenën mediatike në një mënyrë të ndryshme”.

Ai theksoi se shteti planifikon të zhvendosë fokusin “nga niveli kombëtar në atë lokal”, duke shtuar se secila provincë ka komunitete me identitete të tyre dhe se qëllimi është të prodhohet media që pasqyron ato realitete lokale.

“Ministria e Informimit dëshiron të integrojë teknologjinë moderne, veçanërisht inteligjencën artificiale, në shumë aspekte të prodhimit televiziv, dhe të përqendrohet më shumë te individi sirian dhe te brezi i ri, i cili është udhëheqja e ardhshme e vendit”, tha ai.