Ushtarakët shqiptarë kanë përmbyllur misionin e radhës në Novo Selo të Bullgarisë, ndërkohë sipas autoriteteve shqiptare ka marrë stafetën misioni i ri, transmeton Anadolu.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, në rrjetet sociale ka shkruar se kontingjenti i gjashtë përmbylli me sukses misionin, duke përfaqësuar sipas tij Shqipërinë me profesionalizëm, disiplinë dhe përgjegjësi të lartë.
“Në vijën e parë të sigurisë kolektive, një tjetër mision për efektivët e Forca Tokësore të Shqipërisë, një tjetër mundësi për ta mbajtur flamurin shqiptar lart, krah për krah me flamujt aleatë”, tha Vengu.
Ministri Vengu ka theksuar se kontingjenti i shtatë merr stafetën, gati për të treguar sipas tij se “përkushtimi, gatishmëria dhe standardet e NATO-s janë vlera që Forca Tokësore i mban në çdo mision”.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes, duke filluar nga 29 nëntor 2022, Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë angazhuar në Aktivitetin e Vigjilencës së Përforcuar (eVA) në Novo Selo, Bullgari.



