Një prej dyshimeve që kundërshtarët e Sunetit e përsërisin vazhdimisht është fakti se ata thonë se neve na mjafton vetëm Kurani si udhëzues sepse në të është shpjeguar çdo gjë, ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar:“Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për muslimanët.”[1] “Në tregimet e atyre ka këshilla për ata që janë me mend. Ky Kuran nuk është tregim i trilluar, por ai është vërtetues i atyre librave që janë shpallur para tij, është shpjegues i çdo gjëje dhe udhërrëfyes e mëshirë për njerëzit besimtarë.”[2] Po ashtu ata pretendojnë se Allahu i Lartësuar na ka dhënë garanci se Ai do ta mbrojë Kuranin, teksa për Sunetin nuk na ka dhënë garanci.
Përgjigja ndaj këtij dyshimi: Nuk ka dyshim se Suneti është sqarues i Kuranit. Suneti është ai që sqaron me hollësi atë ç’ka është thënë në mënyrë konçize në Kuran, specifikon atë që është thëne në mënyrë të përgjithshme dhe dhe i jep kuptim të përcaktuar asaj që është thënë në mënyrtë të papërcaktuar. Nëse nuk do të ishte Suneti, atëherë ne nuk do të njiheshim me detajet e faljes së namazit, agjërimit, zekatit, haxhit..etj. Prandaj në një ajet, Allahu i Lartësuar thotë: “Ndërsa ty (o Muhamed) të dërguam Përkujtesën, me qëllim që t’ju shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë.”[3]
Pastaj vetë Kurani na ka urdhëruar që t’i bindemi të Dërguarit ashtu siç duhet t’i bindemi Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit.”[4] “O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit.”[5]
Dijetarët janë të mendimit -unanimisht – se fraza“drejtojuni Allahut” nënkupton Kuranin dhe “drejtojuni të Dërguarit” nënkupton Sunetin.
Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i arrijë ndonjë sprovë ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm.”[6]
E përsa i përket pretendimit se Allahu ka garantuar mbrojtjen e Kuranit dhe jo të Sunetit, këtë gjë e ka sqaruar shumë qartë imam Shatibiju në librin e tij “Muuafekat” ku ka thënë se mbrojta e Kuranit përfshin edhe mbrojtjen e Sunetit, sepse Suneti sqaron Kuranin. Mbrojta e Kuranit domosdoshmërisht nënkupton edhe mbrojtjen e Sunetit.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Nahl: 89.
[2] – Sure Jusuf: 111.
[3] – Sure Nahl: 44.
[4] – Sure Nur: 54.
[5] – Sure Nisa: 59.
[6] – Sure Nur: 63.








