Mos paragjykoni

Çfarë do të thotë të gjykosh të tjerët? Kjo është pyetje që ndoshta rrallëherë e parashtrojmë.  Si muslimanë, postulati që ne duhet të kemi ndaj njerëzve në çfarëdo çështje është se ata janë të pafajshëm. Islami kërkon drejtësi dhe paanësi, kur kemi të bëjmë me gjykimin e të tjerëve.

Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “…Kur të flitni (të dëshmoni), duhet të jeni të drejtë, edhe nëse është çështja për (kundër) të afërmit…!” (Kuran, 6: 152). Ai gjithashtu thotë: “O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të Allahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë. Kini dro Allahun, se Allahu di hollësisht për atë që veproni!” (Kuran, 5: 8).

Është gabim për një njeri të akuzojë dikë për gjëkafshë, me përjashtim nëse ka dije të plotë dhe dëshmi të qartë. Së këndejmi, është e ndaluar të bazosh një gjykim kundrejt ndokujt në sfond thashethemesh, hamendjeje a dyshimi.

Allahu i Lartësuar në Kuran na thotë: “O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm ju sjell ndonjë lajm, shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë!” (Kuran, 49: 6). Ai gjithashtu na tërheq vërejtjen: “O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat!…” (Kuran, 49: 12).

Në raste kur njeriu është, të themi, i detyruar të përmendë mangësitë e një tjetri, më së miri është gjithashtu t’i bashkëngjesë edhe të mirat e atij personi. Është e gabuar kur zmadhojmë rëndësinë e gabimit të ndokujt a kur e theksojmë atë tepër, sidomos kur ai gabim s’ka qenë djallëzor (me qëllim) apo në çështje ku e vërteta nuk është qind për qind e qartë.

Ndërkaq, nëse gabimi shfaqet qartazi dhe vërtetohet me prova solide, atëherë është në rregull të këshillohen njerëzit për të mos bërë gabime dhe më pastaj ta shpjegoni të vërtetën. Asgjëmangut, këshillimi duhet të bëhet si duhet, në mënyrë të butë e që nuk i zmbraps njerëzit.

Fill gabimin duhet të tentojmë ta korrigjojmë, pa ndërsyer më tutje. Për shembull: një njeri që ka bërë një gabim nuk duhet të akuzohet se ka (pasur) qëllime të këqija ose motive të liga.

Dhehebiu, kur fliste për gabimet e dijetarëve, thoshte këtë që vijon {Sijar el-alam el-nubela: 14/374 [Siyar al-A`lâm al-Nubalâ’]}: “Nëse do ta zhvlerësonim çdonjërin që ka gabuar në gjykim [në bërjen ixhtihad (shën. i përkthyesit)] apo të njëjtët t’i shpallnim për bidatxhinj (risimtarë) – ata njerëz që në thelb kanë besim të mirë dhe që me sinqeritet kërkojnë të vërtetën – atëherë thuajse asnjë prej dijetarëve tanë nuk do të ishte kursyer.”

Kur fliste për Kataden – tabi’inin e shquar – thoshte si vijon {Sijar el-alam el-nubela: 2/271 [Siyar al-A`lâm al-Nubalâ’]}: “Ai ishte ai që pohonte se vullneti i njeriut është i lirë deri në masë të mohimit të Vendimit hyjnor (kaderit) mbi veprimet e njeriut. Lusim Allahun të na mbrojë nga ide të tilla.

Nga ana tjetër, askush nuk dyshonte në ndershmërinë e tij aspak, apo në integritetin e tij, apo në fuqinë e kujtesës së tij. Ka shumë mundësi që Allahu t’i falë të ngjashmit me këtë për rënien në ide ta caktuara të shpikura, që s’kanë asnjë qëllim, pos për ta madhëruar Allahun e për ta përmbajtur larg (veprave të liga që bëjnë njerëzit). Allahu është Gjykuesi, i Cili është i Drejtë dhe i Mëshirshëm ndaj robërve të Vet. Ai nuk pyetet për atë që bën!”

Çfarë duhet pasur parasysh?

Duhet të kemi parasysh se njerëzit e dijes, inteligjencës, integritetit e devotshmërisë – të cilët janë të përpiktë në hulumtimin e çështjeve dhe që shumë shpesh të saktë në përfundimet që arrijnë – duhet të shfajësohen kur hera-herës bëjnë lëshime në gjykime.

Cilësitë e tyre të mira dhe angazhimi i tyre i mirë nuk duhet të shpërfillen. E, kuptohet, ne nuk ndjekim atë që është treguar të jetë e gabuar, pavarësisht se kush ka gabuar. Megjithatë, nuk shfrytëzojmë këtë për t’i nënvleftësuar të mirat që ka bërë personi përkatës.

“E vërteta nuk njihet nga njerëzit, po njerëzit njihen nga e vërteta!”
Allahu e di më së miri.

Autor: shejh Ahmed el-Hudejri, profesor në Universitetin Islam el-Imam – Rijad
Përpiluar, redaktuar dhe përshtatur nga Halid Latif./Mesazhi/