Moska tjetërson fëmijët ukrainas në rusë

Grupi i fëmijëve në muajin korrik po priste për të hipur në autobusin drejt Rusisë.

Fëmijët në autobusin që po i priste në Donetsk ishin pa prindër, por ende është e paqartë se si dhe kur ka ndodhur kjo.

Edhe më shumë fëmijë kanë arritur në Moskë me aeroplanët ushtarakë.

Ligjet ruse ndalojnë adoptimin e fëmijëve të huaj.

Mirëpo në muajin maj, presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi një dekret që ia mundëson Rusisë të ofrojë shtetësinë për fëmijët ukrainas pa prindër dhe e bën edhe më të vështirë për Ukrainën dhe të afërmit e tyre që t’i kthejnë përsëri këta fëmijë.

Rusia është arsyetuar se këta fëmijë nuk kanë prindër ose kujdestar dhe se nuk kanë mundur të arrijnë te familjarët e tjerë.

Shteti rus e cilëson adoptimin e fëmijëve ukrainas si akt zemërgjerësie që u ofron atyre shtëpi dhe kujdes.

Ukraina dhe grupet ndërkombëtare për të drejta e njeriut fuqishëm kundërshtojnë këtë arsyetim dhe kanë thënë se veprimet e Rusisë janë abuzim me të drejtat e njeriut.

Në muajin korrik, mediat ruse shfaqnin familjet në Moskë duke përqafuar fëmijët ukrainas teksa zyrtarët lokalë ua dorëzonin pasaportat ruse.

Rusia ka përgatitur një listë të familjeve ruse që kanë marrë fëmijët ukrainas.

Shteti gjithashtu ka organizuar kampe verore për jetimët ukrainas.

Avokatja e popullit për të drejtat e njeriut në Rusia, Maria Lvova-Belova ka thënë në muajin mars se 1 mijë e 500 fëmijë nga Ukraina ishin në Rusi.

Gjatë verës, më shumë se 120 familje ruse kanë aplikuar për kujdestarinë e tyre dhe më shumë se 130 fëmijë ukrainas kanë marrë pasaportën ruse.

“Është shumë me rëndësi që fëmijët të ndihen anëtarë të plotë të federatës ruse. Mirëpo, në të njëjtën kohë Donetsku mbetet atdheu i tyre i dashur. Nuk po flasim për adoptim, po flasim për kujdestari, e cila do të na ndihmojë t’i ruajmë lidhjet e gjakut të këtyre fëmijëve me të afërmit e tyre që kanë mbetur prapa”.

Sipas saj, vetëm në ditët e para të muajit tetor kanë arritur në Rusi edhe 234 fëmijë të tjerë.

Njëra prej tyre është edhe Yaroslava. Ajo do të shkojë në Moskë së bashku me dy motrat më të vogla.

“Do të shkoj në Moskë, kam parë familjen dhe të tjerët. Më ka pëlqyer nëna. Ajo më ka prezantuar me tre fëmijë të tjerë. Një djalë dhe dy vajza. Kam babanë dhe gjyshen. Shtëpia është e madhe. Fëmijët shkojnë në shkollë çdo mëngjes. Familja është duke na pritur”.

Avokatja e Popullit thotë se këta fëmijë kanë nevojë për ndihmën e Rusisë që të tejkalojnë traumën e luftës.

Vetë ajo ka adoptuar një ukrainas. Është adoleshent.

Lvova-Belova është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, Evropa, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Australia për rolin e saj në dërgimin e fëmijëve ukrainas drejt Rusisë.

Në muajin gusht, departamenti i Moskës për mbrojtje sociale kishte falënderuar familjet ruse duke thënë: “Fëmijë tanë… tani janë tanët”. /koha