MPB: Së shpejti formohen grupet punuese të lobimit për INTERPOL

Gjatë vitit të kaluar udhëheqësit e MPJ-së dhe të MPB-së vazhdimisht shpreheshin të sigurt se Kosova do të pranohej në INTERPOL. Ndërkohë tash, kur Kosova ka aplikuar sërish për t’u bërë anëtare e kësaj organizate pas dështimit, askush nga këto dy dikastere nuk po jep garanci se do të ndodhë anëtarësimi, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Gjersa ka folur rreth aplikimit të Kosovës në INTERPOL, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj, ka thënë se MPB-ja do t’i kryejë të gjitha punët e nevojshme për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Megjithatë ka pohuar se grupet punuese për lobim nuk janë bërë ende, porse do të formohen në ditët në vijim.

“Çështjen e INTERPOL-it e ka marrë më shumë Ministria e Punëve të Jashtme. Ndërsa ne sigurisht se tash duhet t’i bëjmë edhe ekipet punuese që do të dalin në lobim nëpër shtete të ndryshme”, ka deklaruar ai teksa nuk ka pranuar të tregojë se çfarë strategjie konkrete do të përdoret këtë herë për lobim.

Se a do të jetë i suksesshëm këtë vit aplikacioni i Kosovës, Xhemajlaj ka thënë se kjo varet edhe prej shteteve anëtare të INTERPOL-it. “Ne jemi të obliguar edhe si institucion, si Ministri, Polici edhe si shtet që ta kryejmë detyrën tonë që të aplikojmë. Mbetet pak a shumë në kompetencë të vendeve të tjera se a e pranojnë ose jo. Sigurisht që vetë aplikimi ynë na ka shtyrë të mendojmë se do të pranohemi, por kjo mbetet të shihet, ka kohë”, është shprehur për “Zërin” zëvendësministri i MPB-së.