MSH tregon se a do ketë ndryshim të masave anti-COVID

Në Kosovë është duke vazhduar procesi i vaksinimi, tani për të moshuarit mbi moshën 65 vjeç.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, dërguar lajmi.net, deri dje numri i të vaksinuarve ka arrritur në 46 mijë e 99 persona.

Derisa po vazhdon procesi i vaksinimi, në vend janë në fuqi ende disa masa për parandalimin e përhapjes së pandemisë covid-19.

Nga Qeveria e Kosovës ishte thënë se këto masa do të rishikohen, por ende nuk ka ndonjë ndryshim të tyre.

Kjo është konfirmuar nga ministria e Shëndetësisë për lajmi.net.

“Sa u përket masave, tash për tash janë në fuqi masat e ndërmarra më herët nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe për çfarëdo ndryshimi eventual të tyre, për to do të njoftohen paraprakisht qytetarët”, thuhet në një përgjigje të MSH-së për lajmi.net.

Ndërkaq, një kontigjent i vaksinës Pfizer ,me mbi 3500 doza, ka arritur dje në Kosovë.