Muriqi i bashkohet grupit në stërvitje

Mallorca ka stërvitur të enjten gjatë ditës dhe është duke u bërë gati për duelin e vështirë në “Santiago Bernabeu” kundër Real Madridit. Ndeshja mes Real Madridit e Mallorcas luhet më 3 janar në orën 19:15, por në fushë nuk pritet të jetë Vedat Muriqi.

Sulmuesi i Kosovës, ndonëse i është bashkuar në stërvitje pjesës tjetër të grupit të enjten, nuk do të mund të arrijë ta lërë pas lëndimin që e mori me fanellën e Kosovës në ndeshje kualifikuese për “Euro 2024”. Kështu ka shkruar mediumi “Marca”.

Muriqi u lëndua në fitoren 1:0 kundër Izraelit në stadiumin “Fadil Vokrri” më 12 nëntor. Sulmuesi shtatlartë madje asistoi në atë ballafaqim për Milot Rashicën në minutën e 41-të, por u zëvendësua në minutën e 66-të shkaku i lëndimit të rëndë në pulpën e këmbës së majtë.

Ai punoi me pjesën tjetër të grupit në “Son Bibiloni”, por jo me intensitet të lartë.

“Marca” ka shkruar tutje se rikthimi i Muriqit në fushën e lojës mund të bëhet më 13 janar, në duelin kundër Celta Vigos, në kuadër të xhiros së 20-të të La Ligas.

Pas stërvitjes së lehtë në fushën e gjelbër, Muriqi ka vazhduar përgatitjet në palestër.

Në edicionin aktual të La Ligas, Muriqi me Mallorcan ka realizuar katër gola dhe ka kontribuuar me dy asistime në 12-të paraqitje.

Muriqi 29-vjeçar ka 51 paraqitje për Kosovën dhe ka kontribuuar me 26 gola e gjashtë asistime.

Në kualifikimet e fundit të Evropianit shënoi tri gola dhe pati një asistim në shtatë ndeshje.