Muriqi shënon golin e 13-të në La Liga

Vedat Muriqi ka arritur në shifrën e 13 golave në këtë edicion të La Ligas spanjolle. Sulmuesi i Kosovës shënoi gol të enjten mbrëma në ndeshjen e Mallorcas ndaj Gironas. Ndeshja u fitua nga Girona, që ishte vendase, me rezultatin 2:1.

Bernardo kaloi në epërsi Gironan në minutat shtesë të pjesës së parë. Në pjesën e dytë Muriqit fillimisht një gol nuk iu pranua për pozitë jashtë loje. Më pas prizrenasi nxori penallti dhe mori përgjegjësinë për të gjuajtur nga pika e bardhë. Ishte i saktë në minutën e 80-të, kur realizoi për 1:1.

Por në minutën e 84-t, Valentin Castellanor shënoi golin e fitores 2:1 të Gironas. Në 30 paraqitje kampionale, Muriqi ka edhe tri asistime.

Me fitore, Girona i ka 47 pikë në pozitën e shtatë. Mallorca mbetet e 12-ta me 41 pikë. Ndeshja e së enjtes i takoi xhiros së 33-të të kampionatit spanjoll.