Napoli shënon fitoren e tetë rresht

Napoli ka shënuar fitoren e tetë rresht në elitën e futbollit të Italisë.

Napoli me Amir Rrahmanin në qendër të mbrojtjes, ka shënuar fitore edhe në udhëtim tek Empoli me rezultatin 2:0 të shtunën, në kuadër të xhiros së 24-t të Serie A të Italisë.

Ardian Ismajli me autogol i dha epërsinë skuadrës mysafire në minutën e 17-të.

Ndërkohë, pas afër gjysmë ore lojë, shënoi sulmuesi i rrezikshëm nigerian, Victor Osimhen.

Prej minutës së 67-të, Napoli luajti me një lojtar më pak në fushë, pasi me të kuq u ndëshkua Mario Rui.

Rrahmani e kompletoi ndeshjen te Napoli, ndërsa Ismajli luajti deri në fund tek Empoli, ekip te i cili në bankën rezervë ishte Samir Ujkani.

Napoli në vendin e parë ka 65 pikë dhe po marshon sigurt drejt titullit të kampionit.

Empoli mbetet me 28 pikë.