Ballina Sport Futboll Napoli zyrtarizon largimin e trajnerit Conte

Napoli zyrtarizon largimin e trajnerit Conte

Antonio Conte më nuk është trajner i skuadrës së Napolit, nënkampionit të Italisë për sezonin 2025/26.

Napoli, pjesë e të cilit është edhe Amir Rrahmani, të hënën ka falënderuar trajnerin e deritashëm, si dhe i ka uruar suksese në vazhdim të karrierës.

Conte udhëhoqi Napolin për dy sezone, ku sezonin e kaluar fitoi titullin e kampionit të Italisë dhe në sezonin aktual doli nënkampion, por triumfoi në Superkupën italiane.

Pas largimit nga Napoli, Conte 56-vjeçar pritet ta marrë drejtimin e Kombëtares së Italisë, të cilën e ka udhëhequr një herë, prej vitit 2014 deri në vitin 2016.

Conte, gjithashtu si trajner ka udhëhequr edhe Juventusin, Chelsean, Interin, Tottenhamin e disa skuadra tjera italiane.

Pas largimit të Contes, i cili kishte kontratë me Napolin deri vitin e ardhshëm, drejtuesit e klubit italian kanë nisur kërkimin për zëvendësimin e tij kurse përmenden emra si Massimiliano Allegri e Maurizio Sarri.