Ballina Autorë Opinione Narrativa të ngujuara

Narrativa të ngujuara

Blerim Halili

Ndonëse sistemi komunist ra, shumë botëkuptime dhe narrativa për politikën, shoqërinë, ekonominë, por edhe për kulturën, identitetin dhe fenë mbetën të pranishme në botën shqiptare në Kosovë edhe pas lindjes së demokracisë. Demokracia, në disa aspekte, u përjetua më shumë si ndërrim i emrit të sistemit sesa si transformim rrënjësor botëkuptimesh dhe sistemesh. Një nga to është mënyra e krijimit të narrativave gjithëpërfshirëse, gjeneralizuese dhe populiste, një ide “duhet ta përqafojnë të gjithë”.

Blerim HALILI, Prishtinë

Rënia e komunizmit paraqet një kthesë të shumanshme për botën shqiptare, por jo vetëm. Kjo kthesë përkon me hapjen e një procesi transformimesh që do ta ndikonte jo vetëm jetën politike, kulturore dhe ekonomike, por edhe vetë jetën dhe botëkuptimin për të. Për shkak të arsyeve historike që lidhen me vuajtjet që u ka shkaktuar njerëzve, sistemi komunist dhe regjimet që kanë dalë prej tij rëndom kujtohen si epokë e errët dhe fatkeqe për botën shqiptare, për çka rënia e këtij sistemi u përjetua si çlirim ose hapje e rrugës për çlirim.

Shqiptarët e Kosovës e përjetuan komunizmin si robëri të dyfishtë. Fitorja e komunizmit, nga njëra anë, shënon kthimin e pushtimit serbo-jugosllav në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore, dhe, nga ana tjetër, vendosjen e një sistemi ideologjik dhe regjimi totalitar që në emër të transformimit të njeriut ndërhynte jo vetëm në organizimin politik e shoqëror, por edhe në pikëpamjet dhe bindjet më të thella të njeriut për botën, identitetin dhe jetën. Regjimi komunist aplikoi dhunë, vrasje dhe përndjekje ndaj “armiqve” të shpallur prej tij, qysh në ditët e para të instalimit të tij. Nga ana tjetër, po vazhdonte një rezistencë e krahut nacionalist, properëndimor, ku ishin mbledhur edhe emra të spikatur nga konservatorët dhe kleri fetar. Mund të thuhet se në këtë periudhë projekti nacionalist ose lëvizjet nacionaliste shqiptare ishin njëkohësisht antikomuniste, duke u përpjekur kështu për të krijuar një hapësirë idesh dhe veprimesh në ilegalitet, që lufton regjimin e dalur nga Lufta e Dytë Botërore, jetën nën të cilin shihej si robëri dhe fatkeqësi e madhe.

Jeta nën regjimin komunist la gjurmë të thella në mendimin politik e shoqëror, në mendësinë dhe kulturën e shoqërisë, duke skicuar kështu një botë të re të shkëputur nga trashëgimitë e së kaluarës, përfshirë mendimet dhe vlerat, trashëgimia fetare dhe shpirtërore. Fundi i regjimit komunist në Kosovë dhe lindja e demokracisë do të ishte një hap vendimtar në hapjen e perspektivave për të rimenduar vlerat kryesore politike dhe shoqërore, për të etabluar një mendim përparimtar konform kushteve të zhvillimeve moderne, por që adreson edhe zgjidhjen e çështjes kombëtare.

Ndonëse ideologjia komuniste, në idetë dhe botëkuptimet e saj, shtron shumë teza që në fakt promovojnë barazinë, teza kundër shtypjes dhe skallëvërimit, për shkak të kufizimeve që aplikoi në praktikë dhe shtypjes së të drejtave elementare të njeriut, dalja nga ai u përjetua si çlirim. Por, kjo nuk do të thotë se sistemi që po lindte do të ishte shkop magjik i cili do t’i zgjidhte problemet politike dhe shoqërore, problemet ekonomike dhe ato lidhur me çështjen e pazgjidhur të Kosovës në Jugosllavi, porse ajo do të mundësonte disa platforma të reja dhe do ta përgatiste terrenin për një dinamikë të re zhvillimesh në funksion të zhvillimit socio-ekonomik dhe zgjidhjes politike të çështjes së Kosovës. Komunizmi, teksa ishte ideologjia zyrtare e shtetit jugosllav (si socializëm marksist-leninist), identifikohej me shtypjen dhe prapambetjen e shqiptarëve të Kosovës në çdo aspekt. Lindja e demokracisë, prandaj, përjetohej si hapje e rrugës edhe për adresimin e kërkesave kombëtare në kuadër të frymës pluraliste që sillte demokracia. Por, lindja e demokracisë do të ishte një proces sfidues në vete.

Ndonëse sistemi komunist ra, shumë botëkuptime dhe narrativa për politikën, shoqërinë, ekonominë, por edhe për kulturën, identitetin dhe fenë mbetën të pranishme në botën shqiptare në Kosovë edhe pas lindjes së demokracisë. Demokracia në disa aspekte u përjetua më shumë si ndërrim i emrit të sistemit sesa si transformim rrënjësor botëkuptimesh dhe sistemesh. Një nga to është mënyra e krijimit të narrativave gjithëpërfshirëse, gjeneralizuese dhe populiste, një ide “duhet ta përqafojnë të gjithë”. Trashëgohet një sentiment hakmarrës, por tashmë në emër të demokracisë. Por, demokracia nuk është tërësi idesh që mësohen përmendësh dhe transmetohen e promovohen. Ajo mbi të gjitha është mënyrë e të menduarit, mënyrë e shikimit të jetës në komunitetin modern dhe në organizimin politik, shoqëror dhe ekonomik. Nëse mënyra e të menduarit mbetet e njëjtë si në sistemin komunist, përjashtuese, linçuese, ndëshkuese dhe hakmarrëse, atëherë kemi të bëjmë me një rilindje të sistemit të njëjtë me emër të ri, por me “forcë legjitime” që buron nga populli. Por, edhe narrativat për popullin janë një gamë gjeneralizimesh që përmes një industrie ideologjike sajohen dhe promovohen si të vërtetat e vetme të shëndosha dhe të drejta për të tashmen dhe të ardhmen. Kjo kritikë nuk ka të bëjë me lindjen e demokracisë dhe rënien e komunizmit, por me mënyrën sipërfaqësore dhe dogmatike të përjetimit të koncepteve demokratike. Prandaj, në vazhdim të kësaj kritike mund të shtohej fraza “sikur të mund të lindte një demokraci më e mirë”, e jo ajo “sikur të mos lindte fare demokracia”. Shumë narrativa mbetën peng i dogmës komuniste, duke ndryshuar vetëm mënyrën e manifestimit, por në esencë bartnin të njëjtën përmbajtje. Demokracia vendoset si një vizion utopik i cili duhet të arrihet, por ajo do të përdorej edhe si mjet për të anatemuar kundërshtarët politikë ose vlerorë.

Nuk mund të kishte një “aplikimit ideal” të demokracisë në kontekstin e Kosovës, sikurse në asnjë vend tjetër. Kjo edhe hapte rrugë për keqpërdorimin e nocioneve kryesore liberale dhe demokratike, për të akomoduar persona dhe mendime si dhe për të anatemuar të tjerë – gjithherë duke përdorur si legjitimitet etiketën e demokracisë. Kështu, në analizën e demokracisë në Kosovë do të ishte me vlerë edhe mendimi i Ukshin Hotit, i cili vë në pah konceptin “demokracia autentike”. Me këtë term ai sugjeron një model të një demokracie që merr parasysh edhe nuancat lokale, që lind dhe buron nga brenda, në Kosovë, nuk merret e gatshme nga jashtë dhe është e përputhshme me kulturën dhe vlerat politike në Kosovë. /revistashenja