Ndihmësi i Putinit: Moska dhe Washingtoni po bëjnë përparim në zgjidhjen e çështjes ukrainase

Ndihmësi i presidentit rus, Yury Ushakov tha sot se Moska dhe Washingtoni po bëjnë përparim në zgjidhjen e çështjes ukrainase, transmeton Anadolu.

Duke folur në një intervistë për kanalin televiziv “Russiz Zvezda”, Ushakov tha se Moska është gati të vazhdojë të punojë me negociatorët amerikanë për zgjidhjen në Ukrainë.

“Po bëjmë përparim. Kjo na jep shpresë dhe jemi gati të vazhdojmë të punojmë me këtë ekip amerikan”, tha ai.

Kremlini aktualisht po pret një reagim nga homologët amerikanë pas diskutimit që u zhvillua të martën midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe të dërguarve amerikanë, Steven Witkoff dhe Jared Kushner, theksoi ai.

Data e kontaktit të ardhshëm ende nuk është caktuar, përfshirë një bisedë telefonike midis presidentëve rusë dhe amerikanë, shtoi ai.

“E shihni, e gjithë kjo mund të organizohet lehtësisht. Kujtoni se si u organizua samiti në Anchorage në vetëm tre ditë dhe gjithçka u ra dakord. Sapo të përcaktohen parakushtet për komunikim midis presidentëve, qoftë me telefon apo personalisht, gjithçka do të bëhet mjaft shpejt”, shpjegoi ai.

I pyetur për qëndrimin e BE-së, Ushakov tha se evropianët vazhdimisht ngrenë kërkesa që janë të papranueshme për Moskën dhe nuk kontribuojnë në arritjen e një zgjidhjeje për çështjen ukrainase.

Më 2 dhjetor, presidenti rus, Vladimir Putin u takua me Witkoff-in dhe dhëndrin e Donald Trumpit, Jared Kushner. Takimi zgjati pesë orë, gjatë të cilit ata diskutuan plotësisht për zgjidhjen e situatës në Ukrainë.

Formulimet specifike të planit të paqes të SHBA-së nuk u diskutuan gjatë takimit të Putinit me Witkoff-in, përkundrazi, ato u përqendruan në përmbajtjen e dokumenteve, u tha Ushakov gazetarëve. Sipas tij, u diskutuan posaçërisht çështjet territoriale.