Në 140 vjetorin vihet gurthemeli i shtatoreve të udhëheqësve të Lidhjes së Prizrenit

Me vënien e gurthemelit të kompozicionit të shtatoreve të udhëheqësve të Qeverisë të Lidhjes së Prizrenit, ka nisur sot në Prizren shënimi i 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që po mbahet nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit.

Në vënien e gurthemelit të udhëheqësve të Qeverisë të Lidhjes së Prizrenit, Ymer Prizreni (kryeministër), Abdyl Frashëri (Ministër i Punëve të Jashtme) dhe Sulejman Vokshi (Ministër i Mbrojtjes), përveç kryeministrit Ramush Haradinaj morën pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ministra nga kabineti qeveritar, përfaqësuesi i Familjes Jashari, Rifat Jashari dhe përfaqësues të tjerë institucional.

Kryeministri Haradinaj, i shoqëruar nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka dhe personalitete të tjera më pas mori pjesë në ekspozitën e buqetave të skulptorëve për konkursin mbarëkombëtar të cilët kanë konkurruar për kompozicionin e shtatoreve, si dhe në ekspozitën e Bankës Qendrore të Kosovës, Bankës Qendrore të Shqipërisë dhe muzeut të Prishtinës.

Pjesëmarrës në këto aktivitete janë edhe personalitetet dhe liderët institucionalë nga të gjitha trevat shqiptare.

Shënimi i 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit do të vazhdoj edhe gjatë ditës meqrast këtij përvjetori do t’i dedikohet një Seancë Solemne nga Kuvendi i Kosovës, Akademi Solemne, Konferenca shkencore 140 vjetori i Lidhjes, në të cilën do të prezantohen punimet nga Instituti i Historisë nga Tirana, Shkupi dhe Prishtina dhe Ekspozita mbarëkombëtare në pikturë.