Në BE jetojnë mbi 22 milionë shtetas të huaj

Zyra evropiane e statistikave Eurostat ka njoftuar se deri më 1 janar, në Bashkimin Evropian (BE) është evidentuar se jetojnë rreth 22.3 milionë shtetas të vendeve që nuk janë anëtare të BE-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të dhënat nga Eurostat thonë se numri i personave që jetojnë në vendet anëtare por që kanë shtetësi të ndonjë vendi që nuk është anëtar, përfaqëson 4,4 për qind të popullsisë së BE-së.

Të dhënat zyrtare gjithashtu thonë se ka rreth 17.6 milionë njerëz që jetojnë në njërin nga vendet anëtare, por që kanë shtetësi të një vendi tjetër anëtarë të BE-së.

“Në shumicën e vendeve anëtare të BE-së, numri më i madh i personave me shtetësi të huaj janë shtetas të vendeve që nuk janë pjesë e BE-së”, thonë nga Eurostat.

Nga zyra e statistikave thonë se Luksemburgu është vendi me përqindjen më të madhe të shtetasve të huaj, që është 48 për qind e popullsisë në përgjithësi.

“Një përqindje e lartë e shtetasve të huaj (10 për qind apo më shumë nga popullsia rezidente) është hasur gjithashtu në Qipro (Greke), Austri, Estoni, Malta, Letoni, Belgjikë, Irlandë dhe Gjermani”, thonë nga Eurostat, ku shtohet se përqindje më e vogël se 1 për qind të shtetasve të huaj është shënuar në Poloni, Rumani dhe Lituani.