Në Ditën e Pashkëve policia ruan kishat, ndërsa sulmohet një xhami

Në ditën e Pashkëve Policia është parë teksa ruan kishat, me arsyetimin se mund të ndodhë ndonjë sulm.

Mesazhi.com ka siguruar foto teksa shihet një polic duke ruajtur Kishën Ortodokse në Kampusin e UP-së.

Por ka ndodhur e kundërta. Një xhami në fshatin Llabjan të komunës së Novobërdës është dëmtuar sot pasdite. Xhamia është dëmtuar brenda dhe jashtë saj.

Zëdhënësi i Policisë së Gjilanit, Ismet Hashani ka thënë se bëhet fjalë për një person të nacionalitetit serb, shtetas i Kosovës.

“Në orët e pasdrekës Policia e Kosovës është njoftuar për dëmtim pronë në fshatin Llabjan të komunës së Novobërdës. Njësitet patrolluese kanë dalë me urgjencë dhe nga hetimet e para është parë që në xhaminë e fshatit ka disa dëme në brendi të xhamisë, janë thy disa orendi aty brenda, është thy jashtë një matës i rrymës. Policia e Koosvës pas një kohe të shkurtër ka arritur ta identifikojë një person të nacionalitetit serb, i moshës madhore shtetas i Kosovës, i cili për momentin është duke u intervistuar në lokalet tona të stacionit policor në Novobërdë”, ka thënë ai.

Hashani ka sqaruar se serbi edhe më herët është përfshirë në rastë të njëjta për dëmtim prone.

“I njëjti besohet se është i involuar në raste të njëjta për dëmtim pronë, në një shkollë në Llabjan, së paku dy-tri shtëpi, të gjitha këto dyshohet se lidhen me këtë person”, ka shtuar ai.

Kujtojmë se sot po shënohet Dita e Pashkëve, por nuk dihet nëse ky sulm lidhet me këtë festë.