Në Kosovë janë 201 persona me COVID-19 aktivë

Mbrëmë u konfirmuan 14 raste të reja të infektuar me COVID-19 në disa prej komunave të Kosovës.

Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike bëri të ditur se përpos 14 të infektuarve, dy persona u shëruan.

Krahasuar me të dhënat e ditëve të kaluar, i bie që bilanci i fundit të jetë më keqi në dy javët e kaluara pasi pati një rënie të dukshme të numrit të të infektuarve gjatë ditëve të shkuara, për dallim nga mbrëmë.

Në rezultatet e ditëve të kaluara pati vetëm nga një rast apo dy në ditë të të infektuarve, teksa mbrëmë vetëm në Gjilan ishin 9, e në gjithë vendin 14.

Sipas të dhënave të fundit bëhet e ditur se janë gjithsej 884 raste të konfirmuara si të prekur me koronavirus deri më sot. 655 prej tyre janë të shëruar, kurse 28 të tjerë humbën jetën, transmeton Indeksonline.

Kësisoj numri i të infektuarve aktiv me COVID-19 është 201.

Ndryshe Institutit Kombëtarë i Shëndetësisë Publike ka bërë apel mbrëmë që qytetarët të shtojnë kujdesin përkundër lehtësimit të masave, pasi virusi është ende aktiv.