Në malin e Arafatit

Dr. Mustafa Mahmud (r.a)

“Në malin e Arafatit
Dielli ka filluar të perëndojë mbi malin e Arafatit…
Mali është i mbushur me çadra… miliona haxhilerë e rrethojnë me çadra me rrobat e bardha të ihramit.
Nuk e dallon njërin nga tjetri.. nuk e dallon të varfrin prej të pasurit… nuk e dallon turkun prej arabit.
Janë zhdukur racat.. janë zhdukur rrobat dalluese… janë zhdukur gjuhët.. të gjithë dialektojnë me një gjuhë të vetme, madje edhe somalezi, indoneziani, zeshkani, azerbajxhanasi… të gjithë flasin arabisht…
Dusa e shqiptojnë hollë, disa të tjerë me dialekt të huaj dhe disa të tjerë i zgjasin shkronjat.. por, ti mund të kuptosh prej të gjithëve.. mundesh të dëgjosh se, të tërë ata thërrasin:
“Lebbejk Allahumme lebbejk”.
Dhe, ata të cilët nuk e dinë arabishten, i shikon të grumbulluar rreth një udhëheqësi që përsërisin pas tij lutjet arabisht, shkronjë për shkronjë, me përulje dhe përgjërim.
Në atë copë tokë ku rrija, ishin më shumë se pesëmbëdhjetë kombësi të ndryshme, në një vend që nuk ishte më shumë se disa metra tokë…
Ata, absolutisht që nuk e dinin arabishten dhe as nuk arrinin të kuptonin se çfarë po thoshin prej shkronjave arabe, por i ndjenin ato me zemrat e tyre dhe qanin.
Secili prej tyre ndjente, sikur po fliste me Allahun përmes atyre shkronjave.. sikur ai ishte në prezencën e Allahut, në gostinë dhe mikpritjen e Tij…
Se ai po qëndronte aty, ku kishte qëndruar edhe Muhammedi (a.s), Pejgamberi i madh nomad i varfër i pashkolluar…
Se, ai po përkulej dhe po përulej (bënte ruku dhe sexhde), aty ku ishte përkulur dhe përulur (kishte bërë ruku dhe sexhde), e po thoshte, atë çfarë kishte thënë ai prej lutjeve, me të njëjtën gjuhë arabe.. në të njëjtën ditë.. në të njëjtën xhuma të Dhil-Hixhes…
Ndoshta tingujt e zërit të Pejgamberit dhe zërat e shokëve të tij, akoma ishin në atmosferën përreth.. asgjë nuk zhduket në natyrë dhe asgjë nuk shpiket..!”
____________________
Dr. Mustafa Mahmud, nga libri “Et-Tarik ilel-Ka’beti” (Rruga për në Qabe)