Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Në qorrsokak politik, Netanyahu tundohet të sulmojë sërish Iranin!

Në qorrsokak politik, Netanyahu tundohet të sulmojë sërish Iranin!

Përshkallëzimi i ri ushtarak me Iranin, mjet për të ndryshuar ekuilibrat e brendshëm

Rezultatet e zgjedhjeve në Izrael, ku pjesëmarrja ishte më e larta në më shumë se një çerek shekulli, nxjerrin një përfundim të qartë. Blloku i djathtë i drejtuar nga Likud, partia nacionaliste dhe konservatore e Benjamin Netanyahu, rrezikon të humbasë shumicën parlamentare që kishte përpara votimit.

Megjithatë, kryeministri më jetëgjatë në historinë e Izraelit nuk është ende jashtë loje. Likud pritet të mbetet partia e parë, edhe pse numri i mandateve mund të bjerë nga 32 në 27.

Blloku i djathtë, përfshirë partitë ultranacionaliste dhe fetare, ka rreth 55 mandate, nën pragun prej 61 vendesh të nevojshme për shumicën, por më shumë se opozita, e cila ka 49.

Partia Yashar e Gadi Eisenkot ka 21 mandate, ndërsa koalicioni së bashku i Yair Lapid dhe Naftali Bennett ka 11. Demokratët e majtë kanë nëntë mandate. Ndërkohë, partitë arabe po shfaqen si një forcë e tretë që mund të ndikojë në përcaktimin e shumicës së ardhshme.

Rezultati përfundimtar do të varet nga numërimi i votave dhe negociatat mes partive. Por një gjë është e qartë: Izraeli mbetet i ndarë thellësisht rreth figurës së Netanyahu.

Pas katër vitesh përplasjesh të brendshme dhe luftërash në shtatë fronte, politika izraelite vazhdon të rrotullohet rreth konfliktit mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të kryeministrit.

Kjo ndarje është thelluar nga normalizimi i forcave radikale, të cilat Netanyahu i ka përfshirë në përpjekjet për të konsoliduar pushtetin.

Megjithatë, dy kampet nuk ndryshojnë domosdoshmërisht për çështjet themelore të sigurisë. Të dyja e konsiderojnë Iranin një kundërshtar strategjik dhe kundërshtojnë krijimin e një shteti palestinez.

Përplasja lidhet më shumë me mënyrën se si duhen trajtuar këto çështje dhe me përgjegjësinë e Netanyahut për krizën e vendit.

Ngërçi mund të favorizojë kryeministrin. Sipas analistit Shaiel Ben-Ephraim, Netanyahu mund të qëndrojë në detyrë derisa presidenti Isaac Herzog të gjejë një kandidat që siguron 61 vota.

Edhe nëse partitë arabe mbështesin largimin e tij, formimi i një qeverie alternative nuk është i garantuar. Një mundësi është krijimi i një qeverie pakice, të mbështetur nga jashtë prej partive arabe.

Por një koalicion i tillë do të bashkonte forca me orientime të ndryshme, duke rrezikuar të përsëriste brishtësinë e qeverisë së Lapid dhe Bennett në vitet 2021-2022.

Rreziku kryesor është që kriza e brendshme të ndërthuret me një përshkallëzim të ri ushtarak. Analisti Danny Citrinowicz, nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare në Universitetin e Tel Avivit, paralajmëron se ngërçi politik i Netanyahu mund të paraprijë një tjetër luftë me Iranin.

Sipas tij, kryeministri mund ta shohë një përballje të re me Teheranin si mundësi për të ndryshuar ekuilibrat politikë.

Një emergjencë e sigurisë kombëtare do të ushtronte presion të madh mbi rivalët e tij, për t’u bashkuar me një qeveri të unitetit kombëtar, sërish nën drejtimin e Netanyahu.

Kjo mundësi bëhet më e rëndësishme për shkak të mbështetjes së vazhdueshme të Donald Trump dhe administratës amerikane për kryeministrin izraelit. Edhe Irani duket se po përgatitet për mundësinë e një përballjeje të re.

Sipas The Jerusalem Post, Netanyahu u ka thënë zyrtarëve amerikanë se Eisenkot mund të ishte partneri më i përshtatshëm nëse rifillon konflikti me Iranin. Kjo sugjeron se pavarësisht rivalitetit politik, ekziston hapësirë për bashkëpunim në çështjet strategjike.

Netanyahu paraqitet si udhëheqësi që pretendon se vetëm ai mund ta mbrojë vendin nga kërcënimet, duke e shndërruar sigurinë në boshtin e politikës së brendshme.

Kundërshtarët e tij premtojnë të rikthejnë rendin dhe stabilitetin institucional, por nuk mund të shkëputen nga doktrina e sigurisë që ka përcaktuar vitet e fundit.

Në këtë tablo, partitë arabe përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të popullsisë që kërkon më shumë përfaqësim politik. Roli i tyre mund të bëhet vendimtar nëse Eisenkot arrin të kapërcejë barrierat tradicionale dhe të negociojë me to për formimin e një shumice të re.

Beteja e fundit e Netanyahut, do të përcaktojë nëse ai mund të mbetet në krye të një vendi që ka ndryshuar thellësisht nën udhëheqjen e tij.

Rivalët e akuzojnë se ka dëmtuar perspektivat e Izraelit, por njëkohësisht duhet të përballen me një realitet ku siguria dhe kërcënimet rajonale mbeten në qendër të axhendës politike.

Sfida e vërtetë për qeverinë e ardhshme do të jetë normalizimi i jetës politike, në mënyrë që çdo zgjedhje të mos kthehet në një betejë ekzistenciale për mbijetesën e vendit.

Për Eisenkot, dialogu me partitë arabe mund të shënojë një kthesë të rëndësishme. Por pengesa kryesore mbetet pushteti i Netanyahu, fatet personale të të cilit janë lidhur ngushtë me ato të Izraelit.

Thyerja e këtij dualizmi mund të jetë vendimtare jo vetëm për të ardhmen e demokracisë izraelite, por edhe për pozicionin e vendit në një Lindje të Mesme të përfshirë nga tensionet dhe konfliktet. \tesheshi