Në vitin 2025 rreth 2 mijë raste të reja me kancer, rritje te moshat 30–50 vjeç

Numri i rasteve me sëmundje malinje në Kosovë në vitin 2025 ka mbetur i njëjtë me një vit më herët. Megjithatë ka tendencë të rritjes së rasteve te personat nën 50-vjeç, ka bërë të ditur drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ilir Kurtishi.

Në një intervistë për “Ekonomia Online”, Kurtishi ka thënë se numri i rasteve të reja me sëmundje malinje që kërkojnë trajtim në këtë klinikë ka mbetur rreth 2 mijë e 100 pacientë.

Teksa e ka cilësuar vit plot sfida 2025-tën, Kurtishi ka thënë se jetëgjatësia e pacientëve me sëmundje malinje është rritur dhe kjo rrit nevojën për më shumë shërbime, më shumë trajtime dhe më shumë kontrolle.

“Ka qenë një vit me plot sfida, një vit të cilin Klinika e Onkologjisë e ka përmbyllur me sukses, me trajtime adekuate për pacientët të cilët kanë pasur nevojë për këto shërbime. Një vit ku kemi futur një aparaturë të re në funksion në shërbimin e radioterapisë, që në masë të madhe do ta lehtësojë punën e stafit dhe do të rrisë sigurinë në trajtimin e pacientëve me rrezatim. Kjo shënon një kthesë të madhe në Klinikën e Onkologjisë dhe në të njëjtën kohë gjatë vitit 2025 kemi aktivizuar kartelën elektronike për pacientët, që në masë të konsiderueshme lehtëson punën e pacientëve të cilët trajtohen dhe marrin shërbime në klinikën tonë. Meqenëse sëmundjet malinje janë në rritje në çdo vend, Kosova në këtë vit sëmundjet malinje e gjen me numër të njëjtë me vitin paraprak. Deri në fund të vitit ne do të regjistrojmë dhe do të identifikojmë pacientët të cilët për herë të parë kanë hyrë në klinikën tonë, janë një numër gati dy mijë e 100, që është numri i njëjtë me vitin 2024 dhe kjo është një shenjë e mirë që të mos kemi një numër më të lartë. Shpresojmë që viteve në vazhdim ky numër të mbetet së paku kaq ose të ulet, që ta kemi më të lehtë përballimin e këtij fluksi të pacientëve dhe t’i trajtojmë në mënyrë korrekte”, ka deklaruar Kurtishi.

Kurtishi ka thënë se ka rritje të rasteve te personat nën moshën 50 vjeç, ndërsa ulje të rasteve te ata mbi 60 vjeç.

“Numri i pacientëve në rritje lidhet me faktin se jetëgjatësia e pacientëve me sëmundje malinje është rritur, andaj kanë edhe nevojë për më shumë shërbime, më shumë trajtime dhe më shumë kontrolle. Kjo normalisht rrit edhe numrin e rasteve që kërkojnë kontrolle më të shpeshta tek onkologu. Onkologjia çdo ditë trajton së paku në shërbimin ditor 200–250 pacientë dhe rreth 120–130 në shërbimin e radioterapisë. Ky është një numër mjaft i lartë i rasteve që paraqiten në klinikën tonë dhe trajtohen gjatë një dite. Kemi javë ku për pesë ditë ofrojmë shërbime për më shumë se 900 pacientë që kanë nevojë për këto shërbime. Ajo çka është trend në vendet e rajonit dhe në Kosovë në vitet e fundit, incidenca e sëmundjeve malinje te moshat nën 50 vjeç ka tendencë të rritet. Paraqiten pacientë me sëmundje malinje në mosha më të reja, nga 30–50 vjet. Nga viti në vit këto raste po shtohen, ndërsa në anën tjetër në një numër të vogël po ulen rastet e sëmundjeve malinje që paraqiten te mosha mbi 60 vjeç”, ka thënë ai.

Kurtishi ka thënë se rritja e numrit të pacientëve lidhet me rritjen e jetëgjatësisë së të prekurve me kancer.

“Klinika e Onkologjisë mjekon të rriturit, ose personat nga mosha 18 vjeç e lart, deri në moshat e shtyra, për tumoret solide, jo për tumoret hematologjike, jo leukemitë dhe limfomat dhe jo tumoret e fëmijëve. Kjo kap një gamë të tërë të sëmundjeve malinje të secilit sistem, duke filluar nga truri, koka, qafa, sistemi respirator, muskujt, lëkura e kështu me radhë. Tumoret e të gjitha lokalizimeve trajtohen në Klinikën e Onkologjisë. Është i vetmi institucion publik që bën trajtimin e këtyre rasteve, meqenëse më shumë se 99 për qind e rasteve trajtohen në këtë klinikë dhe vetëm në institucione private bëhen kontrolle minore. Deri para dy-tre viteve kemi instaluar aparaturën e parë, vitin e kaluar aparaturën e dytë dhe sivjet aparaturën e tretë. Kjo tregon një angazhim maksimal të institucioneve tona për funksionalizimin, modernizimin dhe një qasje më korrekte, më dinamike dhe më të mirë në trajtimin e sëmundjeve malinje, duke bërë më të mirën që pacientët tanë të kenë trajtimin meritor. Të gjitha këto investime, aparatura të reja dhe trajtime moderne bëjnë që Klinika e Onkologjisë të jetë konkurruese me vendet e rajonit në kuptim të trajtimit të sëmundjeve malinje të qytetarëve tanë”, ka thënë Kurtishi.

Ai ka apeluar qytetarët që të mos i neglizhojnë simptomat dhe të kryejnë kontrolle sa më herët. Diagnostikimi i hershëm është kyç për trajtimin.