Nepal, 14 të vrarë pas përleshjeve për ndalimin e mediave sociale

Të paktën 14 persona janë vrarë dhe dhjetëra janë plagosur në përplasjet vdekjeprurëse midis protestuesve dhe policisë të hënën në kryeqytetin e Nepalit, në Kathmandu, pas hyrjes me forcë në parlament për të protestuar për korrupsionin e pretenduar dhe ndalimin e mediave sociale, raportuan mediat lokale, transmeton Anadolu.

Shtatë protestues të cilët u sollën në Qendrën Nacionale për Trauma vdiqën, derisa 10 të tjerë ishin në gjendje kritike me plagë të marra nga të shtënat me armë zjarri në kokë dhe në gjoks, thanë mediat lokale duke cituar një zyrtar të shëndetësisë. Më shumë se 20 të tjerë morën trajtim mjekësor në këtë vend.

Tre protestues vdiqën në Spitalin “Everst”, derisa më shumë se 50 të tjerë janë duke marrë trajtim mjekësor, nga të cilët katër janë në gjendje kritike.

Katër të tjerë u sollën të vdekur në spitale të ndryshme ndërsa identiteti i tyre ende nuk është konfirmuar.

Autoritetet vendosën një shtetrrethim në kryeqytetin Kathmandu pas protestave vdekjeprurëse.

Protestuesit e “Gjeneratës Z” depërtuan përmes barrikadës së policisë dhe u ngjitën mbi portat e parlamentit, derisa forcat e sigurisë u përgjigjen me gazlotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit të cilët më herët ishin zotuar se do të qëndronin të qetë, sipas raporteve të shumta të lajmeve dhe pamjeve të shpërndara në internet.

Pas përshkallëzimit të situatës, zyra e administratës së distriktit të Kathmandusë vendosi shtetrrethim deri në orën 22:00 të mbrëmjes në zonat kryesore përreth parlamentit.

Autoritetet po vazhdojnë përpjekjet për të larguar protestuesit që po përpiqen të hyjnë në ndërtesën e parlamentit.

Qytetarët në Nepal deri më tani kanë protestuar në Kathamandu, Pokhara, Butwal, Biratnagar dhe qytetet tjera kundër korrupsionit të pretenduar dhe ndalimit të mediave sociale.

Javën e kaluar, Nepali mori masa për të bllokuar platformat kryesore të mediave sociale pasi ato nuk zbatuan kërkesën për t’u regjistruar pranë autoriteteteve të Nepalit.

Ministria e Komunikimit dhe Teknologjisë së Informacionit lëshoi ndalimin pasi u dha kompanive shtatë ditë kohë, nga 28 gushti, për t’u regjistruar në qeveri.

Platformat sociale të ndaluara përfshijnë kompanitë amerikane të Meta-s, Facebook dhe Instagram, së bashku me WhatsApp, YouTube, si dhe kompanitë tjera amerikane si X, Reddit dhe LinkedIn.

Sipas autoriteteve, ky vendim synon të zvogëlojnë përhapjen e urrejtjes online, thashethemeve dhe krimeve kibernetike.

Ministria theksoi se ndalesa do të hiqet në momentin që kompanitë regjistrohen pranë autoriteteve.

Partia kryesore e opozitës në Nepal e kishte kritikuar vendimin.