Ballina Lajmet Rajon dhe Botë “Nëse nuk kalojmë në veprim edhe shumë vajza afgane mund të ndajnë...

“Nëse nuk kalojmë në veprim edhe shumë vajza afgane mund të ndajnë të njëjtën histori me mua”

Malala Yousafzai

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai tha se arsimi i femrave në Afganistan është një mjet i fuqishëm në ndërtimin e paqes dhe sigurisë në Afganistan dhe paralajmëroi se nëse komuniteti ndërkombëtar nuk vepron, shumë vajza afgane do të qëllohen në kokë ashtu sikur është bërë ndaj saj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Yousafzai në fjalën e saj drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku u diskutuan zhvillimet në Afganistan, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbrojë të drejtat e grave dhe vajzave afgane.

“Unë kam ngritur zërin që të gjitha vajzat të shkojnë në shkollë. Jam dëshmitare kur një njeri i armatosur ndaloi autobusin e shkollës, më thirri mua dhe hapi zjarr ndaj meje. Nëse nuk kalojmë në veprim edhe shumë vajza afgane mund të ndajnë të njëjtën histori me mua”, deklaroi Yousafzai.

Yousafzai, e cila mbron shkollimin e vajzave, më 9 tetor 2012 u sulmua në autobusin ku ajo kishte hipur për të shkuar në shkollë në Luginën Svat në veri të vendit të saj.

Ajo u plagos në kokë dhe 6 ditë pas sulmit u dërgua në Britani të Madhe për trajtim. Ajo qëndroi për rreth 3 muaj në spitalin “Mbretëresha Elizabeth” në Birmingham dhe në kokën e saj u vendos një pllakë metali. Pas daljes nga spitali në mars 2013, Malala u vendos me familjen e saj në Birmingham dhe vazhdoi sërish shkollën.

Në vitin 2014 në moshën 17-vjeçare Malala Yousafzai fitoi Çmimin Nobel për Paqe duke hyrë në histori si më e reja që ka fituar këtë çmim. Ajo theksoi se çmimin prej 8 milionë krona (rreth 8.8 milionë dollarë) do ta dhuronte për shkollat në Pakistan.

Malala e cila është bërë një prej emrave simbol kryesisht për çështjen e shkollimit të vajzave, e cila nëpërmjet fondacioneve të hapura në emër të saj kryen punime në mënyrë që vajzat në shumë vende në zhvillim të mund të shkojnë në shkollë. /aa