Neymar ka marrëveshje me Barcelonën, problem mbeten milionat e kërkuar nga PSG

Neymari ka marrëveshje që të kthehet te Barcelona, gjë që sulmuesi brazilian e ka dashur gjithmonë, një rikthim në “Camp Nou”.

Braziliani magjik kaloi katër sezone fantastike te Barcelona përpara se të kalonte te PSG për 222 milionë euro, që ishte klauzola e tij.

Emisioni televiziv spanjoll, El Chiringuito zbulon se 31-vjeçari ka gjetur gjuhën e përbashkët me presidentin Joan Laporta.

Bëhet fjalë për një kontratë dyvjeçare, me opsionin e rinovimit deri në vitin 2026. Paga e braziliani parashihet të jetë 13 milionë euro në sezon.

Tani duhen bindur drejtuesit e PSG-së, të cilët kërkojnë 150 milionë euro për ta lënë të lirë brazilianin, një shumë që Barcelona nuk ka asnjë mundësi të paguajë.

Për këtë gjë, Neymar po bisedon me presidencën e kampionëve të Francës, duke kërkuar një kompromis, ku zgjidhja më e mirë mund të arrihet nëse lojtari kalon si huazim.

Barcelona me këtë marrëveshje do të mund ta blinte Neymarin për 50 milionë euro në verën e vitit 2024.

Neymar sa ishte te Barcelona shënoi 105 gola në 186 ndeshje.