Në të kaluarën të qenit nënë kishte një kuptim më të kufizuar, kryesisht në përkujdesje dhe ushqyerje të fëmijëve. Por në epokën bashkëkohore, roli dhe përgjegjësitë e nënës janë zgjeruar aq shumë sa që amësia është duke u përjetuar si një “punë” rraskapitëse dhe e pafund.
Nga nëna (ose kujdestari primar i fëmijut) bashkëkohore pritet të jetë një kujdestare, edukatore, pedagoge, psikologe, eksperte e të ushqyerit të shëndetshëm, mjeke e shëndetit fizik dhe mendor, mentore për zhvillim akademik, organizuese e kohës së lirë, kreative dhe aktive në lojëra, rregullatore e (mos)qëndrimit në ekran, ruajtëse nga rreziqet e jashtme, shoqëruese në çdo aktivitet — dhe krejt këtë kujdes ta ushtrojë në mënyrë të butë, të vetëdijshme, pa mbingarkesë, pa dhunë, duke vendosur kufij të qartë dhe, në të njëjtën kohë, të jetë autoritative (jo autoritare)! Sa standarde të larta dhe paradoksale!
Për të treguar një performancë të tillë të pritur prej tyre, nënave u duhet të konsultojnë vazhdimisht ekspertë të ndryshëm për këshilla dhe udhëzime: psikologë, logopedë, pediatër, nutricionist, etj. Kështu, nënat në shoqërinë moderne janë shndërruar në agjente aktive, të cilat bashkëpunojnë me ekspertët në varësi të arsyeve dhe nevojave të tyre. Si rezultat, kemi të bëjmë me një model të prindërimit që ka në qendër fëmijën e jo nënën. Një model që shpesh e fajëson prindin për çdo gjë që nuk shkon sipas standardeve të ekspertëve dhe për çdo sjellje “jo adekuate” të fëmijës, kështu duke i neglizhuar tërësisht faktorët biologjik, psikologjik, social e kulturor.
Derisa të vazhdojnë (para)gjykimi, ngarkimi, neglizhimi i nevojave të nënës dhe fajësimi i saj, ndërsa në anën tjetër vazhdon qendërizimi i fëmijës, nuk mund të thuhet se kemi të bëjmë me një model të shëndetshëm të prindërimit.
Nëse raportet familjare i mendojmë si një piramidë, në shoqërinë tradicionale shqiptare gruaja apo nëna ishte e vendosur diku në mes të piramidës. Fëmijët zinin vend në fund të piramidës, ndërsa i zoti i shtëpisë bashkë me djemtë në maje të saj. Ndërsa sot, majen e piramidës e kanë zënë fëmijët, në mes janë gratë (së bashku me burrat tashmë), dhe në fund qëndrojnë gjyshërit.
As modeli i vjetër, as ky i riu me fëmijën në qendër apo maje, nuk kanë mundësuar krijimin e raporteve të shëndosha brenda familjes. Nëse piramida rrëzohet, dhe në vend të saj të ndërtohen raporte bashkëpunimi me ndarje të roleve dhe përgjegjësive, me kufijë të caktuar dhe autoritet të ndërsjellë — atëherë ndoshta mund të flasim për një model prindërimi që ka për qëllim mirëqenien e të gjithëve.
PhD Merjeme Gashi








