Ngacmimi i shejtanit për të shmangur faljen e namazit

Ebu Hurejre (r.a) transmeton, se profeti a.s ka thënë:

“Shejtani lidh tre nyje pas kokës kur ndonjëri prej jush bie në gjumë. Për çdo nyje troket dhe thotë: ke një natë të gjatë, prandaj fli. Nëse zgjohesh dhe e përmend Allahun, zgjidhet një nyje. Nëse merr abdes, zgjidhet nyja e dytë e nëse falesh zgjidhet nyja e tretë. Nëse vepron kështu gdhin i lumtur dhe i disponueshëm, në të kundërt gdhin i padisponueshëm dhe përtac”.[1]

Kuptimi i disa idiomave:

Lidh: që do të thotë gjumë i rëndë dhe vështirësia e zgjimit nga gjumi.

Pas koke: pjesa e mbrapme e kokës.

Troket: thotë, ose e pengon atë që fle të jetë i ndjeshëm që të zgjohet. Kjo është si ajeti kur’anor: “Ne u vumë mbulojë mbi veshët e tyre (i vumë në gjumë) në shpellë për disa vite me rradhë”.

Prandaj fli: flei gjumë dhe mos u nxito që të zgjohesh.

Dritë mbi kuptimin e hadithit

Armiqësia e shejtanit me njeriun është armiqësi e vjetër. Allahu i Lartësuar na ka folur, që të ruhemi nga dredhia e shejtanit, ngacmimet, urrejtja dhe mashtrimi i tij. Gjithashtu na ka urdhëruar, të jemi të përgatitur, që t’i rezistojmë dhe të shpëtojmë nga e keqja e tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Shejtani është armiku juaj, prandaj konsiderojeni atë si armik. Ai e fton grupin e tij për të qenë prej banorëve të zjarrit.” Sure El Fatir: 6 Në një ajet tjetër i Lartësuari thotë: “O ju të cilët keni besuar mos i ndiqni hapat e shejtanit. Kush i ndjek hapat e shejtanit le ta dijë se ai urdhëron për imorlitet dhe vepra të këqia”. Sure En Nur: 21

Njerëzit janë ndarë në dy grupe:

Grupi i Parë: I është dorëzuar këtij armiku dredharak, i është dorëzuar të keqes së tij, derisa është bërë prej ushtrisë së tij, i zbaton urdhrat dhe i bindet ngacmimeve të tij. Nuk i bindet asnjë urdhri të Allahut dhe nuk i ruhet gjynaheve apo veprave të këqia.

Grupi i Dytë: E di rrezikun që i kanoset prej tij, ka vendosur që t’i bëjë ballë e të mos i dorëzohet. Gjithmonë ai është në konflikt të hapur. Disa herë është i fortë e disa herë të tjera është i dobët në varësi të besimit dhe vendosmërisë së sinqertë që ka.

Pikërisht ky hadith profetik ka për qëllim grupin e dytë, duke folur për një betejë prej betejave të konfliktit ndërmjet muslimanit dhe armikut të tij, shejtanit të mallkuar. Kjo është një betejë, ku shejtani nuk mundet lehtë, sepse ai e di mirë se kujdesi që ka muslimani për faljen e namazit të sabahut dhe namazit të natës i jep atij energji dhe forcë të madhe që të përballojë me sukses dredhitë e shejtanit e të triumfojë në betejat e tjera.

Namazi është arma e besimtarit dhe lidhja ndërmjet robit dhe Zotit. Prej tij përfiton qëndrueshmërinë, forcën e besimit dhe vendosmërinë për ndjekjen e të vërtetës e largimit nga ajo që është e shtrembër. Allahu i Lartësua thotë: “Namazi ndalon nga punët e shëmtuara dhe të këqia”. Sure El Ankebut: 45

Për këtë arsye shejtani përdor të gjitha metodat e mashtrimit dhe dredhisë, për ta penguar muslimanin që të falë namazin. Mundohet t`a largojë nga ai nëpërmjet gjumit, punës dhe dobësimit të zbatimit me rigorozitet të adhurimeve, nëpërmjet ndjekjes së dëshirave dhe kryerjes së veprave të këqija. Allahu i Lartësuar thotë: “Shejtani dëshiron që nëpërmjet pirjes së alkolit dhe kumarit të fusë ndërmjet jush armiqësinë dhe urrejtjen. Gjithashtu ai ju pengon që ta përmendni Allahun e që të falni namazin. Pra a jeni duke u ndaluar?!” Sure El Maide: 91

Allahu i Lartësuar nuk e ka lënë muslimanin që të përballet i vetëm me shejtanin, por e ka armatosur me armën e mjaftueshme për luftimin me të, i ka sqaruar rrugët e rezistencës dhe largimit të keqes së tij, e ka paralajmëruar për përfundimin, nëse dorëzohet përpara tij, dobësohet apo mashtrohet pas hileve të tij. Kjo armë është devotshmëria dhe puna e mirë. Ai, i cili e ka frikë Allahun, është i ruajtur nga e keqja dhe mbizotërimi i shejtanit ndaj tij e po ashtu është i mirëimformuar me dredhitë e tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet ata që janë të devotshëm, kur i prek ndonjë iluzion nga shejtani, e përkujtojnë Allahun dhe atëherë e shohin të vërtetën”. Sure El A’arafë:201

Ky hadith profetik sqaron një rast prej rasteve, ku shejtani mbizotëron ndaj njeriut duke shfrytëzuar rastin, që ai është në gjumë, për ta penguar që të kryejë faljen e namazit duke e mashtruar me vazhdimësinë e lezetit të gjumit.

Thënia profetike “Shejtani lidh tre nyje pas kokës” është shprehje figurative, që tregon për ngacmimin e shejtanit, rëndimin e kokës nëpërmjet gjumit, pengimin për tu zgjuar me pretendimin se nata është e gjatë dhe se ka akoma kohë derisa të lindë dielli. Kjo është hilja e zvarritjes, e vonon pak nga pak që të zgjohet derisa koha e namazit të kalojë. Prandaj myslimani duhet të zgjohet dhe të përmendë Allahun, që të zgjidhet nyja e parë. Por shejtani nuk dorëzohet kollaj, ai fton për gjumë për herë të dytë qoftë edhe pas disa minutash. Këtu lind nevoja për një ilaç vendimtar, që është abdesi që i ripërtërit pjesët e trupit dhe e largon kotjen. Kështu zgjidhet nyja e dytë. Tashmë ka ngelur nyja e tretë, që është shpresa e fundit e shejtanit të mallkuar, që të arrijë të finalizojë qëllimin e tij me çfarëdo lloj mënyre, për ta penguar muslimanin që të falet. Për këtë arsye del si detyrë, që muslimani të falet sa më shpejt për ta dëbuar dhe përjashtuar shejtanin.

Profeti (a.s) e mbyll këtë hadith me përshkrimin e gjëendjes së njeriut fitimtar dhe njeriut të shkatërruar. Kush e fiton betejën që në fillim me shejtanin, i shkon dita përsëmbari, është më i përshtatshëm për të fituar beteja të tjera e të shpëtojë nga mbizotërimi i shejtanit ndaj tij. Kështu ai gdhin aktiv me shpirt të mirë dhe i lumtur në përkushtimin ndaj Allahut, i lirë nga prangat e skllavërisë së shejtanit të mallkuar.

Ndërsa ai, i cili rrëzohet qysh në betejën e parë, duke iu përgjigjur ngacmimeve të shejtanit e nuk zgjohet për të falur namazin, derisa të lindë dielli, shejtani prej tij nuk mjaftohet vetëm me kaq, por do ta sulmojë në betejat e ardhshme të ditës për të qenë i padisponueshëm, i rëndë në kryerjen e ibadeteve, përtac e dembel, nëse nuk shpejton që të pendohet e të vendosë që t’i bëjë ballë shejtanit.

Metoda ndihmëse për tu zgjuar për të falur namazin e sabahut:

1- Mos hani me tepricë përpara gjumit.

2- Bini të flini herët dhe jo vonë.

3- Përdorni orën me zile. Largojeni atë nga pozicioni ku mund ta arrijë dora, që të mos keni mundësi ta ndaloni e pastaj t`ju zërë gjumi përsëri.

4- Ndihmoni njëri – tjetrin në familje për t`u zgjuar.

5- Duhet të këni vendosmëritëe sinqertë përpara gjumit, që do të shpejtoni për të falur namazin, sepse ai që vendos për diçka, nuk mund që ta neglizhojë atë.

Gjithashtu njeriu nuk duhet të harrojë që ta lusë Zotin me sinqeritet, që t’i japë mundësinë që të zgjohet për të falur namazin e sabahut me xhemat, si edhe t’i japë mundësinë që përpara namazit të sabahut të falë disa rekate namaz nate, që të fitojë mëshirën, kënaqësinë dhe mirësinë e kërkimit të faljes në kohën para mëngjesit. Allahu i ka përshkruar besimtarët duke thënë: “Ata ishin që pak flinin natën dhe në kohën e syfyrit kërkonin falje për mëkatet”. Edh-Dharijatë: 17-18

Përfitimet e nxjerra nga hadithi:

1- Armiqësia ndërmjet shejtanit dhe njeriut është e rreptë. Metodat e shejtanit janë dredharake për ta shmangur njeriun, që t’i përkushtohet Allahut të Lartësuar.

2- Nxitja për t’i bërë ballë shejtanit me të gjitha format e mudura dhe domosdoshmëria e marrjes për bazë të shkaqeve dhe pasojave të duhura, për tu ruajtur nga e keqja e tij.

3- Dhikri i Allahut është arma vepruese për rezistencën ndaj shejtanit.

4- Domosdoshmëria e marrjes sa më shpejt abdes pas zgjimit nga gjumi.

5- Falja e namazit të mëngjesit trashëgon gjallëri në shpirt dhe shpie në zgjerimin e kraharorit.

6- Lënia e namazit të sabahut trashëgon depresion dhe dembelizëm në punë.

[1] Transmeton imam Buhariu: 1091 dhe imam Muslimi: 776

/ardhmeria