Profesori universitar Arben Fetoshi, si dhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare vlerëson se ndonëse Kosova është shteti i fundit nga Ballkani Perëndimor në rrugën drejt BE-së, përsëri autoritet kosovare nuk janë duke i zbatuar në dinamikën e duhur detyrat e përcaktuara nga BE-ja, shkruan sot gazeta “Zëri”.
“Në procesin e integrimit evropian Kosova është në hapat e parë, e fundit nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, pa liberalizim të vizave si njëri nga indikatorët e përafrimit. MSA-ja pa dyshim është marrëveshje e rëndësishme, por e cila gjithashtu nuk është zbatuar me dinamikën dhe në përgjegjësinë e duhur të institucioneve të vendit”, ka thënë ai për “Zërin”.
Faktorë të tjerë, që sipas Fetoshit kanë ndikuar në dështimin e Kosovës në plotësimin e kritereve të BE-së, lidhen edhe me mosnjohjen e 5 shteteve të BE-së, si dhe me dialogun me Serbinë.
“Pra dështimet në zbatimin e reformave evropiane janë njëri aspekt i ngecjes së këtij procesi, por pavarësisht kësaj problemi duket më kompleks nëse kemi parasysh neutralitetin ndaj statusit, mosnjohjen nga pesë shtetet anëtare dhe dialogun me Serbinë, që tregojnë se aspekti politik është përcaktues edhe për procesin e integrimit evropian. Kjo do të thotë se marrëveshja ligjërisht obligative Kosovë – Serbi është definuar nga pikëpamja ndërkombëtare si mekanizmi që do ta zhbllokonte subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, pra edhe anëtarësimin në OKB dhe në organizatat që ju i përmendni. Këtë e nënkupton edhe angazhimi me prioritet i SHBA-së në këtë çështje”.
Megjithatë, sipas Fetoshit, ky kompleksitet nuk e shfajëson Kosovën sa u përket dështimeve, qoftë në planin diplomatik me një shërbim joprofesional e skandaloz, qoftë në planin e brendshëm me një qeverisje joefikase, sidomos në kriterin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.








