Nigeri, rritet numri i të vdekurve nga epidemia e kolerës

Numri i viktimave nga epidemia e kolerës në Nigeri është rritur në 1.178, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i Qendrës së Nigerisë për Kontrollin e Sëmundjeve (NCDC), Dr. Chikwe Ihekweazu deklaroi se midis 1 janarit dhe 14 gushtit epidemia u përhap në 23 provinca si dhe në kryeqytetin Abuja.

Ai theksoi se 37.819 persona u diagnostikuan me kolerë gjatë kësaj periudhe ndërsa 1.178 persona humbën jetën për shkak të epidemisë.

Duke u shprehur se 26 për qind e rasteve të zbuluara në vend janë të moshës 5-14 vjeç, Ihekweazu tha se 51 për qind e rasteve janë burra dhe 49 për qind janë gra.

Ihekweazu deklaroi se qeveria ka marrë masa kundër epidemisë dhe i bëri thirrje publikut t’i kushtojë më shumë rëndësi higjienës.

Teksa vazhdon pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) dhe epidemia e kolerës në Nigeri, mjekët filluan grevë me arsyetimin se nuk mund të merrnin pagat e tyre.

Çfarë është kolera?

Kolera është një sëmundje e cila ngjitet nga ushqimet dhe uji i shkaktuar nga një bakter i quajtur “Vibrio cholerae”. Kolera, e cila shkakton diarre të rëndë dhe humbje të lëngjeve në trup, mund të jetë vdekjeprurëse nëse nuk trajtohet.

Në Nigeri, në pamundësi për të përmbushur nevojën për ujë të pastër dhe pamundësia për të siguruar ndërhyrje mjekësore të menjëhershme dhe efektive rrit rrezikun e sëmundjeve dhe vdekjeve.

Në vend hasen shpesh epidemitë si malaria, poliomieliti, ethet tifoide dhe virusi i majmunit. /aa