Nisin punimet për rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes

Sot kanë filluar punimet për rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes në segmentin nga Fakulteti Teknik në drejtim të “Bregut të Diellit” në Prishtinë, e cila është një nga arteriet kryesore të rrjetit që furnizon me ngrohje këtë lagje, rehabilitimi i të cilës do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së ngrohjes.

Përurimi i fillimit të punimeve në këtë segment e ka bërë kryeshefi ekzekutiv i NP “Termokos” Naser Canolli me bashkëpunëtorë.

Segmenti tjetër, në të cilin do të punohet deri para fillimit të sezonit ngrohës do të jetë pozicioni nga “Ibër Lepenci” deri në “Termokos”.

Gypat magjistralë të stërvjetëruar të ngrohjes në këto dy segmente, që janë vendosur, që nga vitet e ’70-ta do të zëvendësohen me gypa të rinj të paraizoluar, ndërsa gjithë punimet planifikohet të përfundojnë para fillimit të sezonit ngrohës 2018/19.

Rehabilitimi i rrjetit të ngrohjes në këto dy segmente do të ndikojë në zvogëlimin e humbjeve të ujit, energjisë termike si dhe në përmirësimin e mëtutjeshëm të cilësisë së ngrohjes.

Ndryshe, fondet për rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes në këto dy segmente janë siguruar nga Qeveria Gjermane, ajo e Luksemburgut dhe Komuna e Prishtinës, ndërsa do të menaxhohen nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW).