Nisja nuk është festë

Iljasa Salihu

Nëse në vitin 2028/29 i bashkangjitemi plotësisht BE-së, atëherë do të gëzohemi plotësisht e do të festojmë drejtësisht, mirëpo druaj se deri në këtë vit pak rini do të ngelet këtu për të festuar. Sigurisht që deri në këtë vit do të marrin epilog të drejtë rasti “Monstra”, rasti “Durmo Turs”, rasti i djegies së spitalit modular në Tetovë, rasti “Besa Trans”, rasti “Zhan Mitrev” dhe disa raste tjera, që priten të shpërthejnë në këtë nënqiell herë të kthjellët e më shumë të vranët.

Shkruan: Iljasa Salihu, Shkup

Në vlugun e korrjes së grurit dhe në kulmin e shqetësimit për grurë të pamjaftueshëm për shkak të sulmit rus në Ukrainë, gjegjësisht në datën 19 të muajit korrik, Tirana dhe Shkupi e hapën kapitullin e negociatave me Bashkimin Europian, kuptohet pas një beteje jo të lehtë, sidomos për Shkupin, të cilin e pret edhe një tjetër betejë tepër e vështirë për arsye të hapjes së kushtetutës, për të cilin vendim opozita maqedonase paralajmëron protesta, edhe pse po shihet se edhe ajo e ka parë se sa të kota janë protestat e tyre. Pas 17 vjet pritjeje, pasi vendi kishte marr statusin e vendit kandidat për integrim në Bashkimin Europian, Maqedonia e Veriut, më në fund, e theu akullin që e pengonte afrimin e saj me BE-në, pasi Kuvendi me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë asnjanës, e miratoi propozimin francez për zgjidhjen e kontestit rreth gjuhës dhe historisë midis Shkupit dhe Sofjes, që i hap rrugë integrimit të mëtejshëm europian.

Mirëpo, ajo që po shihet në tërë këtë panoramë, që pa dyshim është për t’u përshëndetur, është fakti se nisjen e kanë përkapur si festë, duke e krijuar një përshtypje thuajse kjo është e arritura përfundimtare, ndonëse bartësit e këtij procesi e dinë fare mirë rrugën e gjatë që si shoqëri dhe si shtet na pret, mirëpo duan me qëllim të krijojnë tym e mjegulla në mënyrë që malin e dështimeve, që shpesh na ndodhin në përditshmëri, sadopak ta mbulojnë, duke harruar se me këtë standard që e kemi, jo në Bruksel, por në hyrje të Kroacisë, në kthesën e parë, do të dështojmë. Ndaj, nëse përnjëmend e kanë qëllimin që vendin ta fusin në BE, atëherë si bleta punëtore duhet të punojnë fillimisht në përmirësimin e standardit të jetesës dhe sundimin e së drejtës, njëherësh duke e llogaritur çështjen e kohës, ngaqë një integrim që zgjat me dekada është një tallje tjetër me qytetarët.

Megjithatë, hapi i radhës pas hapjes së negociatave është hapja e kushtetutës. Për hapjen e kushtetutës, ku parashihet të bëhen hisedarë të rëndësishëm edhe bullgarët, paçka se janë një pakicë e shkuar pakice, do të duhet 80 vota, pra edhe 12 vota më tepër se në rastin e votimit të propozimit francez. Me këtë rast dikujt do t’i “dhurohen” shuma të majme, ndërsa kush është ai “fatlum” nuk dihet, mbase edhe nuk do të arrijmë ta dimë, sepse në syprinën e këtij deti të trazuar do të shkruajnë se akëcili deputeti lëshoi pe në emër të integrimeve europiane. Pas kësaj hapjeje, hapja do të marrë kuptim, por jo edhe gëzim të plotë, ngaqë jo çdo nismë mund të arrijë në cak. Nëse në vitin 2028/29 i bashkangjitemi plotësisht BE-së, atëherë do të gëzohemi plotësisht e do të festojmë drejtësisht, mirëpo druaj se deri në këtë vit pak rini do të ngelet këtu për të festuar. Sigurisht që deri në këtë vit do të marrin epilog të drejtë rasti “Monstra”, rasti “Durmo Turs”, rasti i djegies së spitalit modular në Tetovë, rasti “Besa Trans”, rasti “Zhan Mitrev” dhe disa raste tjera, që priten të shpërthejnë në këtë nënqiell herë të kthjellët e më shumë të vranët. Përndryshe, me gjithë këto raste të pazgjidhura, do të jemi një mish helmues në trupin e Europës!

Sidoqoftë, nisja është një hap i rëndësishëm, mirëpo nuk është festë, por është përgjegjësi. Nuk është festë regjistrimi në fakultet, por kryerja e fakultetit. Nisja në një garë maratonike nuk është festë, përkundrazi është emocion e përgjegjësi, madje ngapak edhe frikë se mos vallë nuk mund t’ia dalësh fundit. Nisja e bisedimeve për anëtarësim në BE nuk duhet të jetë festë, as krenari pa karar, por përgjegjësi, përpjekje dhe punë, ngaqë nuk duhet të harrojmë se kemi ende fshatra të cilëve u mungon kanalizimi, uji i pijshëm dhe, përgjithësisht, kemi të tillë ku ende mbretëron izolimi në kuptimin e hapjes së pikave kufitare. Fjala vjen, banorët e fshatit Llojan ende në vend se t’i kalojnë 4 kilometra për t’u takuar me familjarët, që jetojnë në Luginë të Preshevës, duhet t’i kalojnë 40 kilometra për shkak të përtacisë së liderëve tanë dhe kokëfortësisë së dy shteteve. Ende nëpër spitalet tona rregulli i pashkruar për të dhënë ryshfet respektohet më shumë se cilido rregull tjetër i shkruar. Ende për ndërtimin e banesave mund të marrësh lejendërtim, edhe pse të mungon trotuari, parkingu dhe parku. Ende nxënësit mësojnë nëpër kombinate të duhanit të shndërruara në shkolla. Ende korrupsioni vlon nëpër të gjitha segmentet e shtetit, besa edhe të shoqërisë. Me rritjen e çmimeve, së fundmi dhe me zhveftësimin e parë, vetë jeta e qytetarëve është zhveftësuar. Përgjithësisht, ende qytetari shtetin e përkap si vegël që është themeluar për t’i shërbyer një grusht njerëzve dhe për ta lodhur dhe për ta penguar qytetarin që ta jetojë një jetë të dinjitetshme. Me këtë realitet të zymtë jo që nuk mund t’i bashkohemi Europës, por na rrezikohet vetë mbijetesa, ndaj nëse thelbësisht dhe formalisht nuk përmirësohemi, atëherë edhe integrimi do të jetë një shije e keqe, mu sikurse një i sëmurë, të cilit si rrjedhojë e sëmundjes edhe mjalta do t’i duket e hidhur si pelin. /shenja