Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Një fyerje mbi gjakun e 72.000 viktimave…

Një fyerje mbi gjakun e 72.000 viktimave…

Xhelati Beniamin Netanyahu bindet nga Trump dhe përfshihet në Bordin e Paqes për Gazën

Në një lëvizje që sfidon çdo logjikë njerëzore dhe morale, arkitekti i shkatërrimit të Gazës, Benjamin Netanyahu, ka nënshkruar zyrtarisht anëtarësimin e Izraelit në të ashtuquajturin “Bord të Paqes” të Donald Trump.

Lajmi, i konfirmuar gjatë vizitës së tij në Uashington të mërkurën, përfaqëson një ironi makabre: njeriu që udhëhoqi fushatën që ka lënë pas mbi 72.000 të vrarë dhe një popullsi të tërë në zgrip të urisë, tani do të ulet në krye të tavolinës për të “mbikëqyrur” të ardhmen e viktimave të tij.

Prania e Izraelit në këtë bord, i cili synon qeverisjen e përkohshme të Gazës, nuk është asgjë më pak se një strukturë e pastër koloniale. Ndërsa Trump dhe Netanyahu shtrëngojnë duart mbi dokumente që vulosin fatin e miliona njerëzve, bie në sy një mungesë ulëritëse: asnjë përfaqësues palestinez nuk është pjesë e këtij organizmi.

Pra është një “paqe” e diktuar nga lart, ku pushtuesi merr rolin e administratorit me bekimin e Uashingtonit, duke minuar hapur autoritetin e Kombeve të Bashkuara dhe duke shpërfillur hetimet ndërkombëtare që e cilësojnë veprimtarinë e Izraelit si gjenocid.

Pavarësisht retorikës për stabilizim, realiteti në terren është një dëshmi e dështimit dhe hipokrizisë. Që nga fillimi i armëpushimit të brishtë në tetor, të paktën 580 palestinezë janë vrarë, duke dëshmuar se makineria e vdekjes e Netanyahut nuk njeh pushime.

Plani i Trump, i cili kërkon çarmatimin e Hamasit dhe vendosjen e forcave ndërkombëtare, duket më shumë si një kapitullim i detyruar sesa një zgjidhje diplomatike. Ky bord nuk përfaqëson paqen, por fundosjen e mëtejshme të drejtësisë ndërkombëtare.

Ndërsa Netanyahu diskuton me Marco Rubio-n dhe Trump-in për “rindërtim”, bota sheh një xhelat që kërkon të diktojë kushtet e mbijetesës për atë popullsi që tentoi ta fshinte nga faqja e dheut përmes bombave dhe urisë. Takimi i parë i bordit më 19 shkurt, pritet të jetë vetëm formalizimi i radhës i një padrejtësie historike. /tesheshi