Një muaj paraburgim për Milaim Zekën

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për deputetin e Kuvendit të Kosoëvs Milaim Zeka.

Sipas Gjykatës ekziston dyshimi i bazuar se më 24 shtator në një emision televiziv i pandehuri Milaim Zeka ka kanosur prokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu për shkak të detyrës zyrtare i cili ndaj të pandehurit ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Milaim Zeka është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës dhe duke marr parasysh se i pandehuri ka kanosur Prokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Afrim Shefkiu, i cili ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Milaim Zeka, kjo shton edhe më shumë rrezikun se i pandehuri do ta përfundoj veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej, sepse arsyeja e kanosjes nga i pandehuri ka qenë ngritja e aktakuzës ndaj tij, nga Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.