Një tregim nga Muhamedi s.a.v.s.

Kurani famëlartë përmban një numër të mirë të tregimeve disa prej tyre rrëfejnë jetën e pejgamberëve si tregimi i Ademit, Ibrahimit, Musait, Jusufit etj. E disa rrëfejnë jetën e njerëzve të devotshëm që kanë jetuar para nesh e disa të tjerë që na rrëfen Allahu për disa nga njerëzit që ishin kryeneçë mendjemëdhenj dhe të rebeluar me Allahun. Si Faraoni, Karuni, Nemrudi etj.

Muhamedi s.a.v.s. duke e kuptuar ndikimin e tregimit në jetën e njeriut ka preferuar që shpesh t’iu tregonte sahabeve tregime interesante.

Sot kemi zgjedhur një tregim interesant që e shënon imam Buhariu dhe Muslimi në sahihun e tyre. Këtë tregim na rrëfen njëri prej shokëve të Muhamedit s.a.v.s., e ai është djali i Omerit r.a.

Abdull-llah ibn Umer ibn el-Hattabi r.a. thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Tre veta që kanë jetuar para jush u nisën për rrugë, e një ditë i zuri nata para një shpelle, në të cilën hynë dhe bujtën. Një shkëmb u rrokullis nga kodra dhe plotësisht e mbylli hyrjen e shpellës. Ata thanë: “Shpëtimi nga ky shkëmb është vetëm që ta lusim Allahun e Madhërishëm që ta largojë për hir të veprave tona të mira.”

Njëri prej tyre tha: “O Zoti im, unë i kam pasur prindërit pleq të thinjur dhe asnjëherë para tyre nuk u kam dhënë të hanë e as të pinë fëmijëve të mi e as mallit tim (shërbëtorëve). Një ditë më argëtoi kërkimi i kullosës më të mirë për kopenë time, e nuk iu erdha me kohë dhe ata kishin fjetur. Unë e mola qumështin në enë dhe ua solla, por i gjeta duke fjetur. Më erdhi keq t’i trazoj, por edhe që t’i ushqej familjen dhe shërbëtorët, andaj kam pritur me enë në dorë dhe kam shikuar kur do të zgjohen, e kjo pritje ka zgjatur deri në agim. Fëmijët e mi aty te këmbët e mia, klithnin të uritur, por u kam dhënë qumësht pasi prindërit janë zgjuar dhe kanë pirë qumështin që u kisha sjellë. O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë vetëm për Ty e për askë tjetër, atëherë na e largo neve këtë shkëmb nga hyrja e kësaj shpelle në të cilën gjendemi!” Shkëmbi lëvizi pak, por jo edhe aq sa të mund të dalin!

Njeriu i dytë tha: “O Zoti im, e kam pasur një kushërirë të afërme të cilën e kam dashuruar më tepër se tërë botën, – sipas një transmetimi tjetër – e kam dashur aq fort siç i duan burrat gratë, andaj kërkova prej saj (siç kërkojnë burrat prej grave të tyre), por ajo nuk më lejoi. Një vit mbre-tëronte uria e kushërira e dashur më erdhi dhe unë i dhashë 120 dinarë (monedha ari) që të vetmohet me mua. Dhe kur ajo ashtu veproi dhe unë e përvetësova atë, -, ajo (duke qarë) më tha: “Frikësoju Allahut dhe mos e kryej aktin pa të drejtë.” Atëherë u largova prej saj duke e kursyer nga akti i turpshëm edhe pse e doja më tepër se ç’do kë tjetër, e lëshova në liri duke ia dhuruar të hollat e dhëna. O Zoti im, nëse unë këtë e kam bërë vetëm për të fituar kënaqësinë Tënde, na e largo këtë në të cilën jemi!” Shkëmbi përsëri lëvizi edhe pak nga hyrja e shpellës, por jo edhe aq sa të mund të dilet prej saj.

Njeriu i tretë tha: “O Zoti im, unë kam pasur rrogtarë dhe të gjithëve ua kam paguar menjëherë fitimin e merituar, përveç një njeriu i cili u largua para se ta merrte mëditjen. Unë mëditjen e tij pastaj e kam përdorur si du-het dhe pasuria e tij u shumëzua. Pas një kohe rrogtari im më erdhi e më tha: “O robi i Zotit, m’i jep të hollat për mëditjen time të papaguar!” Unë i thashë: “Krejt çka sheh, pasuria, delet, lopët, devetë dhe robërit janë prej mëditjes tënde që është shtuar.” Ai tha: “O robi i Zotit, mos u tall me mua!” Unë atëherë i thashë: “Unë nuk po tallem me ty”, pastaj e mori tërë mallin dhe shkoi, duke mos më lënë asgjë. O Zoti im, nëse unë këtë e kam bërë vetëm për Ty, atëherë na e largo këtë shkëmb nga hyrja e shpellës!” Shkëmbi u rrokullis, kurse udhëtarët dolën dhe e vazhduan rrugën.”

Disa mësime që i nxjerrim nga ky tregim.

– Vepra e mirë e bën njeriun të gjallë përgjithmonë. Pra këta persona vetëm Allahu e dinë se para sa viteve kanë jetuar e ne sot i kujtojmë veprat e mira të tyre. Kështu që njeriun e ngrit vepra e mirë dhe e bën të pa vdekshëm. Mundo të jesh prej të tillëve.
– Çdo njeri gjatë jetës do të sprovohet me situata të vështira që nuk mund të del nga ajo situatë vetëm se me ndihmën e Allahut. Andaj mundohu që edhe ti të kesh në fondin tënd vepra të mira të sinqerta që Allahu do ta zbardh fytyrën në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Është shumë e logjikshme që secili prej nesh ta pyes veten e tij. A kam ndonjë vepër që vërtetë është e sinqertë që unë do të mburrem me të para Allahut, dhe jam i sigurt që nëse unë i lutem Allahut Ai do të më përgjigjet?
– Sinqeriteti në vepra. Është shkas i shpëtimit. Secili nga ta tha:. O Zoti im, nëse unë këtë e kam bërë vetëm për Ty, atëherë na e largo këtë shkëmb nga hyrja e shpellës.
– Vlera e lutjes. Allahu e sprovon njeriun që tia dëgjoi zërin e tij. Duke iu lutur. Shpëtimi nga ky shkëmb është vetëm që ta lusim All-llahun
– Sjellja e mirë me prindin. “asnjëherë para tyre nuk u kam dhënë të hanë e as të pinë fëmijëve të mi.” Allahu ka dhënë urdhër të prerë të adhurohet vetë Ai dhe të silleni mirë me prindërit. Mos u thuaj as of. etj.
– Ndershmëria në moral. “Frikësoju Allahut dhe mos e kryej aktin pa të drejtë.”
– Ruajtja e Amanetit Unë mëditjen e tij pastaj e kam përdorur si du-het dhe pasuria e tij u shumëzua.
– Fuqia e Allahut se si Allahu e largoi këtë rrasë të madhe.

/islamgjakova