Obligueshmëria e agjërimit nga urtësitë e Krijuesit

Prof. Adnan Simnica

“O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. (El-Bekare, 183)

Allahu i Madhërishëm e fillon këtë ajet kuranor në mënyrën më të lehtë të mundshme dhe shumë ledhatuese, që të pranohet nga shpirtrat dhe zemrat e besimtarëve, ngase përmban në vijim një dispozitë obligative – agjërimin, dhe me këtë sikur Ai do të thotë: “O ju që po më besoni dhe që po më doni, tashmë ju është bërë obligim agjërimi”. Kur dispozita obliguese i drejtohet atij që ka besuar, atëherë kuptojmë dhe jemi të bindur se Fuqiploti na ka veçuar dhe specifikuar me një obligim nga i cili ka dobi të jashtëzakonshme. Sa për ilustrim, po marrim shembullin e prindit i cili i drejtohet birit tij për të kryer një punë të vështirë, por që rezultati i saj është shumë pozitiv dhe frytdhënës, dhe ai me këtë rast zgjedh fjalët më të mira të mundshme për ta bindur atë që t’i përgjigjet pozitivisht. Ai nuk i drejtohet me fjalë të ashpra dhe të vrazhda, po me fjalë ledhatuese dhe të buta, si: O biri im i dashur, kryeje këtë punë, rezultati i së cilës është shumë efektiv, por mos tento ta kryesh duke u mbështetur në vetëdijen tënde të papjekur, veçse kryeje duke marrë shembull dhe duke u mbështetur në direktivat, pjekurinë dhe përvojën e babait tënd. Ndaj, edhe besimtarët, thirrjen kuranore drejtuar atyre – “O ju që besuat…”, e konsiderojnë shumë ledhatuese, prehëse, të dashur dhe të mirëseardhur për ta, qoftë edhe obligim me përmbajtje vështirësish për t’u kryer, ngase, meqë e kanë pranuar besimin, atëherë janë në lidhje shumë të fortë dhe të ngushtë me Krijuesin, lidhje e shenjtë kjo, e quajtur lidhje e besimit – imanit. Dhe pikërisht për këtë arsye Zoti i Madhërishëm, nuk ka bërë obligim agjërimin për ata që nuk E besojnë, sepse ata nuk hyjnë në kuadër të kësaj lidhjeje të shenjtë të besimit, dhe me plot të drejtë quhen pabesimtarë.(1) A nuk është kjo thirrje në këtë mënyrë drejtuar besimtarëve respekt dhe nder për ta? Patjetër që po!
Agjërimi është heshtje, largim, braktisje dhe distancim nga diçka. Fuqiploti tha: “Ti pra, ha pi e qetësohu, dhe, nëse sheh ndonjë prej njerëzve, thuaj: “Unë kam vendosur (agjërim) heshtje për hir të të Gjithëmëshirshmit, andaj asnjë njeriu sot nuk i flas!” (Merjem, 26).
Këtu shprehet largimi dhe heshtja nga të folurit, nga se kuptojmë se agjërimi nënkupton largimin dhe braktisjen nga diçka, por në kuptimin ligjor islam agjërim d.t.th. largim, braktisje dhe heqje dorë nga pasionet e stomakut dhe të epshit (ushqimi, pija dhe kontakti intim) që nga mëngjesi deri në mbrëmje.
Agjërimi në parim nuk ndryshon nga koha në kohë, duke ditur se edhe tek besimet e tjera agjërimi në një mënyrë ka qenë një lloj adhurimi, por ai ka qenë ose largim vetëm nga ushqimi, ose largim vetëm nga disa lloje të ushqimit, siç veprojnë të krishterët. Kjo d.t.th. se agjërimi në parim ka qenë metodë efektive për edukim shpirtëror tek shumë besime, pavarësisht ndryshimit në ditë apo në mënyrë krahasuar me atë që ka përcaktuar Krijuesi. Transmetohet nga Ibni Abasi se shprehja kuranore: “sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush”, ka për qëllim ithtarët e librit.(2)
Allahu xh.sh. në Islam qëllim final të agjërimit ka bërë edukimin shpirtëror dhe metodë të arritjes së devotshmërisë së lartë njerëzore, sepse Ai tha: “që të bëheni të devotshëm”, që nënkupton përkushtimin e plotë ndaj Krijuesit, devotshmërinë shpirtërore, frikën ndaj Fuqiplotit dhe largimin nga mëkatet. Mëkatet ekzistuese në brendi të shpirtit dhe trupit të njeriut, në çdo moment mund të artikulohen në praktikë, prandaj pikërisht agjërimi i sinqertë arrin të dobësojë jashtëzakonisht shumë këtë kalim të mëkatit në praktikë dhe ta ngurtësojë atë në brendi të shpirtit dhe trupit, dhe për këtë arsye Muhamedi a.s., transmetohet të ketë thënë: “O ju të rinj, kush ka mundësi të martohet, le të martohet, se ajo (martesa) ia ruan shikimin, e mbron epshin, por kush nuk mund (të martohet), le të agjërojë, ngase agjërimi për të është shuarje (mposhtje) e epshit”.
Agjërimi serioz dhe i sinqertë çrrënjos të keqen shpirtërore po edhe fizike – praktike tek rinia, dhe pakësimi i ushqimit d.t.th. pakësim i energjisë trupore, që rezulton me dobësim të pasionit që e shtyn njeriun për të bërë mëkate. Agjërimi i Ramazanit i jep besimtarit ndershmëri, përzemërsi dhe qëndrueshmëri stabile gjatë tërë muajit, dhe ai këtë e kupton fare mirë, ndaj edhe vazhdon me atë qëndrueshmëri shpirtërore edhe pas muajit të shenjtë. Allahu i Madhërishëm nuk kërkon një gjë tillë nga besimtarët vetëm në muajin e Ramazanit, por Ai ka përcaktuar dhe zgjedhur Ramazanin si një muaj të vitit për të fituar devotshmërinë dhe qëndrueshmërinë shpirtërore çdo besimtar, dhe kështu të vazhdohet gjatë tërë vitit. Veçimi – zgjedhja nga ana e Allahut xh.sh. e ndonjë kohe të caktuar gjatë vitit, apo e ndonjë vendi a njeriu të caktuar, nuk do të thotë se kjo është bërë me qëllim ledhatimi dhe privilegji ndaj tyre, si: Me zgjedhjen e ndonjë pejgamberi nga njerëzit nga ana e Krijuesit, është qellim është përhapja e ndikimit dhe vlerës së kësaj zgjedhjeje tek të gjithë njerëzit, dhe për këtë arsye historia e pejgamberëve është e mbushur përplot me vështirësi dhe lodhje, gjë që është argument se vështirësitë dhe problemet e misionit të komunikimit të shpalljes tek njerëzit bien mbi supet e pejgamberit të zgjedhur, që d.t.th. se Allahu xh.sh. nuk e zgjodhi atë për ta privilegjuar apo ledhatuar, por për ta bërë shembull për të gjithë njerëzit. Gjithashtu, kur Krijuesi zgjodhi – veçoi disa ditë të caktuara, nuk e bëri këtë për t’i privilegjuar nga ditët tjera të vitit, por Ai deshi që kjo zgjedhje të ketë ndikimin e vet pozitiv edhe në të gjitha ditët e tjera përgjatë vitit, siç është zgjedhja e ditëve të agjërimit të muajit Ramazan. Njësoj është edhe zgjedhja – veçimi i ndonjë vendi të caktuar që është bërë me qëllim të përhapjes së ndikimit dhe vlerës së tyre në të gjitha vendet e tjera të botës. Kur dëgjojmë dikë tek thotë: “Vizitova Mekën dhe Medinën, shijova shndritjen, shkëlqimin dhe vlerën e tyre, dhe harrova çdo gjë tjetër”, me këto fjalë ai i ka lavdëruar këto vende, por ai duhet ta dijë se ato vende të zgjedhura nga Krijuesi mund të jenë të gëzuara vetëm atëherë kur ndikimi, vlera, shndritja dhe shkëlqimi i tyre të jetë i përhapur edhe në vendet e tjera. Njeriu i tillë besimtar, pse nuk mendon kështu edhe kur është në vende të tjera, duke ditur se prania e Allahut me të gjitha cilësitë e Tij absolute është në çdo vend ku gjendet edhe ai vetë. Është e vërtetë se adhurimi i besimtarit ndaj Krijuesit përgjatë vizitës në vendet e shenjta shoqërohet me seriozitet dhe sinqeritet shumë të madh, dhe me largim të plotë nga mëkatet, dhe përse një seriozitet e përkushtim i tillë nuk e shoqëron besimtarin edhe në çdo vend tjetër dhe kohë tjetër?
Kështu, ne e kuptojmë fare mirë urtësinë e Allahut xh.sh. në zgjedhjen – privilegjet që ka bërë për ditë të caktuara, vende të caktuara dhe njerëz të caktuar, me se ka pasur për qëllim që ndikimi, roli, vlera dhe reflektimi i kësaj zgjedhjeje të përhapet edhe tek të gjithë njerëzit e tjerë, vendet e tjera dhe kohët e tjera. Prandaj habitemi kur shumë besimtarë e kalojnë Ramazanin me përkushtim e sinqeritet të madh, kurse me kalimin e tij, e harrojnë atë përkushtim! Me këtë rast mund të pyesim: A është bërë obligim Ramazani për të na ruajtur fenë tonë, apo për të na kalitur – forcuar ne dhe për të na dhënë devotshmëri e sinqeritet, në mënyrë që të jetojmë me moral, edukatë dhe ndershmëri edhe në muajt e tjerë? Pa dyshim që agjërimi i sinqertë dhe përkushtimi serioz gjatë Ramazanit, pajis çdo besimtar me devotshmëri kulmore, moral dhe edukatë të lartë duke reflektuar direkt edhe në muajt e tjerë të vitit.(3)
Është shumë e natyrshme që të bëhet obligim agjërimi për një popull tek i cili është bërë obligim lufta e shenjtë në rrugën e Zotit, me se arrihet forcimi dhe konfirmimi i programit hyjnor mbi tokë, ruajtja e ndershmërisë së besimtarëve, dhe arrihet dëshmi e vërtetësi për ta. Agjërimi është një vendosmëri e vullnetshme dhe stabile për besimtarin; nëpërmjet tij arrihet lidhja e sinqertë dhe e devotshme në mes tij dhe Krijuesit. Agjërimi është mundësi e pazëvendësueshme për të mposhtur pasionet e tepërta të trupit dhe për të ngritur anën shpirtërore, dhe kjo me qëllim të arritjes së kënaqësisë së Fuqiplotit. Të gjitha këto janë nga elementet e domosdoshme për përgatitjen shpirtërore të besimtarëve për t’u ballafaquar me sukses me të gjitha sfidat e jetës, problemet dhe dëshirat e pasionit. Që nga kjo kemi kuptuar se me plot të drejtë obligueshmëria e agjërimit për besimtarët është nga urtësitë e Krijuesit Fuqiplotë, ngase kjo urtësi rezulton me përgatitjen serioze të qenies njeri për rolin dhe misionin e tij të shenjtë në tokë, dhe transferin e tij fatlum në botën tjetër. Qëllimi kryesor dhe final i agjërimit është arritja e devotshmërisë shpirtërore, ngase devotshmëria i jep shpirt dhe gjallëri efektive të vazhdueshme zemrës për respekt dhe adhurim ndaj Allahut xh.sh. dhe e ndalon besimtarin nga mëkatet, dhe kështu arrihet kënaqësia, përkrahja, mbështetja dhe shpërblimi i Krijuesit Fuqiplotë, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër.(4)
Ndërsa në ajetet vijuese shpjegohet qartë se obligueshmëria e agjërimit vlen vetëm për disa ditë të vitit e jo për tërë vitin, që konsiderohet mëshirë e Krijuesit për besimtarët. Allahu i Madhërishëm në ajetin vijues tha: “(jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor) i një të varfri….”. Përcaktimi i dispozitave fetare ka për qëllim arritjen e devotshmërisë tek besimtarët dhe edukimin shpirtëror të tyre e assesi nuk ka për qëllim vështirësimin e tyre, siç është rasti edhe me obligueshmërinë e agjërimit në vetëm disa ditë të caktuara brenda vitit, e jo tërë vitin. Këto ditë të caktuara konsiderohen ditët e muajit Ramazan, muaj i cili është obligim të agjërohet nga besimtarët që nuk janë të sëmurë, nuk janë në udhëtim dhe që kanë mundësi fizike për ta agjëruar. Këto alternativa dhe lehtësime hyjnore të këtyre dispozitave, rezultati i të cilave kthehet vetëm tek besimtari, pa dyshim konsiderohen mëshirë, ledhatim dhe dashuri për besimtarët, ndaj edhe fillimi i ajetit jo rastësisht është bërë me shprehjen ledhatuese për ta.
Muajin e Ramazanit Zoti i Madhërishëm e ka bërë për besimtarët si një shans absolutisht të pazëvendësueshëm për afrim tek Allahu xh.sh. me më shumë adhurim dhe punë të mira, mundësi shtesë për besimtarët për të arritur mëshirë, falje, e shpëtim hyjnor, ndaj Muhamedi a.s. transmetohet të ketë thënë: “Po ta dinin ymeti im (myslimanët) se çfarë mirësie (vlere) ka Ramazani, do të dëshironin që tërë viti të jetë i tillë (Ramazan).(5)

Nga: Prof. Adnan Simnica

______________________
Fusnotat:
1. Tefsiri i Muhamed Muteveli Esh-Sharavit, vëll. i dytë, faqe 764, pa vit botimi, Kajro.
2. Tefsir El-Kuran El-Adhim, Ibni Kethiri, vëll. i parë, faqe 214, pa vit botimi, Kajro.
3. Tefsiri i Muteveli Esh-Sharavit, faqe 765,766.
4. Fi Dhilal El-Kuran, Sejjid Kutb, vëllimi parë, faqe 167,168, viti i bot. 1996, Kajro.
5. Tefsir El-Vadih, vëll. i parë, faqe 107, viti i bot. 1992, Kajro.

Dituria Islame / 204-205