Zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë shpërfillën paralajmërimet në bazat kryesore të të dhënave të inteligjencës se informacioni mbi objektivat në Iran nuk ishte përditësuar prej vitesh, duke miratuar sulme që përfshinë edhe një shkollë ku mbetën të vrarë afër 200 persona, transmeton Anadolu.
Duke cituar tre persona të njohur me çështjen, CNN raportoi se në platformën e Pentagonit për zhvillimin e objektivave ishin të integruara sinjalizime që kërkonin ri-vërtetimin e informacionit për objektivat, por ato u anashkaluan nga komandantët që synonin të vepronin shpejt me nisjen e konfliktit.
Sipas mediave shtetërore iraniane, sulmi i 28 shkurtit ndaj Shkollës Fillore “Shajareh Tayyebeh” në qytetin Minab vrau 168 fëmijë dhe 14 mësues, gjatë një operacioni amerikan që kishte në shënjestër një objekt ngjitur të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
CNN raportoi se një pjesë e madhe e informacionit të inteligjencës që udhëhoqi objektivat e para të luftës, përfshirë të dhënat mbi objektin e IRGC-së pranë shkollës, datonte më shumë se 10 vjet më parë, pasi analistët nuk kishin arritur të përditësonin të gjitha të dhënat përpara nisjes së sulmeve.
Sipas raportit, objektivat lëvizëse dhe ato me rrezik më të lartë u përditësuan fillimisht, ndërsa objektet fikse, si shkolla që u sulmua, mbetën me përparësi më të ulët dhe kryesisht të paverifikuara.
“Ishte qartazi informacion i vjetër”, tha një burim për CNN.
Një tjetër burim i cituar në raport tha se një sistem i veçantë mbikëqyrjeje kishte zbuluar ndryshime në kompleks, por ky informacion nuk arriti kurrë në bazën kryesore të të dhënave për objektivat dhe as nuk iu përcoll vendimmarrësve.
Raporti gjithashtu e lidh incidentin me shkurtimet e personelit në njësinë për Zbutjen dhe Reagimin ndaj Dëmeve Civile, të urdhëruara nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke theksuar se njësia pranë Komandës Qendrore (CENTCOM) ishte reduktuar nga 10 anëtarë në vetëm një.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha për CNN se hetimi për sulmin vazhdon dhe përsëriti se “SHBA-ja nuk ka në shënjestër civilët”.
Hegseth ka premtuar një “rishikim të plotë” të rastit, ndërsa CENTCOM i referoi pyetjet hetimit në vazhdim dhe refuzoi të komentojë më tej.
“Muaj pas sulmit, Pentagoni ende nuk i ka bërë publike gjetjet e hetimit”, tha CNN, ndërkohë që presidenti Donald Trump vazhdon të kërcënojë me sulme të reja në shkallë të gjerë ndaj Iranit, paralelisht me zhvillimin e negociatave diplomatike.


