Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha të mërkurën se forcat amerikane kanë nisur një raund të ri sulmesh kundër Iranit, me synim dobësimin e mëtejshëm të aftësisë së Teheranit për të kërcënuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu.
“Me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm, forcat e Komandës Qendrore të SHBA-së kanë nisur kryerjen e sulmeve shtesë kundër Iranit për të dobësuar më tej aftësinë e tij për të kërcënuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”, tha CENTCOM-i në një deklaratë në platformën sociale amerikane X.
“Shtetet e Bashkuara po e mbajnë Iranin përgjegjës për agresionin e fundit të pajustifikuar kundër anijeve tregtare dhe ekuipazheve civile që lundrojnë lirisht në një rrugë ujore jetike ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Mehr raportoi se një shpërthim u dëgjua të mërkurën në mbrëmje në qytetin jugor iranian Bandar Abbas.
Sulmet erdhën disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump tha se memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar me Iranin për t’i dhënë fund luftës është “i përfunduar” dhe se SHBA-ja “me shumë gjasa” do ta godasë sërish Iranin të mërkurën në mbrëmje.

